Kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, më 10 dhe 11 Janar.

E përditshmja greke “Protothema” raporton se kancelarja do të takojë Presidentin grek, Prokopios Pavlopoulos, Kryeministrin Alexis Tsipras dhe liderin e opozitës, Kyriakos Mitsotakis.

Merkel, e cila nuk është më lidere e partisë në pushtet CDU, dëshiron të dërgojë një mesazh mbështetjeje për Greqinë, pasi Athina tashmë ka dalë nga periudha 8-vjeçare e programeve të shpëtimit të ekonomisë.

Pas një nisjeje të vështirë, marrëdhënia mes kryeministrit grek, Alexis Tsipras dhe kancelares Merkel është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.

Media greke i bën jehonë faktit se kancelarja gjermane për herë të fundit ka vizituar Athinën në vitin 2012, pak muaj pas fitores së Antonis Samaras në zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit të të njëjtit vit.