Mënyra e përzgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit Europian ka future në diskutime Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. kreu i shtetit francez këmbëngul që procesi të mos jetë automatik, ndërsa Merkel deklaroi se Gjermania vazhdon të favorizojë zgjedhjen e kandidatit kryesor nga partia fituese e zgjedhjeve. Gjithashtu këmbëngul që krerët e BE-së t’i marrin këto vendime sa më parë pasi mbledhja do të mbahet në fillim të muajit qershor.

“Ne duhet të gjejmë sa më parë një zgjidhje, duke qenë se Parlamenti i ri do të mblidhet në fillim të qershorit dhe natyrshëm preferohet që deri në atë kohë të kemi një propozim nga Këshilli Europian”, ka thënë Merkel.

Zgjedhja e presidentit të ri mund të çojë në një periudhë të gjatë të përplasjeve midis ligjvënësve dhe udhëheqësve të BE-së. Gjatë muajve të ardhshëm, BE-ja gjithashtu duhet të zgjedhë lider të rinj për Këshillin e BE-së, parlamentin, Bankën Qendrore Evropiane dhe një shefe të politikës së Jashtme.