Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje ka udhëtuar për në Gjenevë të Zvicrës, ku do të marrë pjesë në takimin dyditor të liderëve me temë “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor”. Në mesin e liderëve pjesëmarrës është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin kreu i shtetit të Kosovës ka postuar një fotografi në llogarinë e tij në Facebook.

“Mëngjes i bukur në Gjenevë, duke shijuar kafet dhe rrezet e diellit bashkë me Edin. Në Forumin Ekonomik Botëror ku po marrim pjesë, me liderë të rajonit dhe ekspertë botërorë të ekonomisë, do të diskutojmë për zhvillimin rajonal dhe perspektivën tonë euroatlantike”, ka shkruar Thaçi në mbishkrimin e fotografisë.

Në këtë forum, pjesëmarrësit do të diskutojnë gjerësisht rreth modaliteteve për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve në dobi të një Ballkani të qëndrueshëm. Duke identifikuar sfida dhe objektiva të përbashkëta, pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe sesi bashkësia ndërkombëtare përmes bashkëpunimit publiko-privat mund të mbështesë rritjen dhe stabilitetin në rajon.