Doganierët serbë në kalimin kufitar në Merdarë e kanë ndaluar dhe konfiskuar një makinë të shtrenjtë “Porsche 911 Carrera 4 GTS” me tabela gjermane, në vlerë prej rreth 100.000 euro. Pretendohet se makina nuk ishte e regjistruar, sqaron drejtoria e Doganave të Serbisë.

Gjykata për Kundërvajtje në procedurë të përshpejtuar e ka dënuar shtetasin 48 vjeç, shqiptar nga Kosova me vendbanim në Gjermani, me gjobë prej 100.000 dinarëve (rreth 850 euro) dhe me masë të “sigurisë konfiskim të përhershëm të mallit të pa lajmëruar”.

“Me kontroll të dokumentacionit është konstatuar se Porsche nuk është regjistruar, që do të thotë se ishte dashur të lajmërohet dhe të vendoset nën mbikëqyrje të doganës, gjë që vozitësi nuk e ka bërë”, pretendon drejtoria e Doganave.

“Në pyetje të doganierit përse nuk e ka lajmëruar veturën pasi nuk ishte e regjistruar, vozitësi ka thënë se bëhet fjalë për veturën e djalit të tij për të cilën nuk ka ditur se a është e regjistruar, si dhe që në këtë rast duhet ta lajmërojë”, pretendohet në kumtesë.“Vetura luksoze së shpejti mund të gjendet në ndonjë nga ankandet publike të cilat i organizon drejtoria e Doganave”, pretendohet në njoftim.