Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të përmbushjes së misionit të tij për mbrojtjen e shëndetit dhe interesit të konsumatorit ka bllokuar gjatë kësaj jave 3,05 tonë mish dhe nënprodukte të tij, ëmbëlsira, nënprodukte të qumështit, vezë, pije alkoolike etj dhe ka asgjësuar 18,02 tonë ëmbëlsira, pije alkoolike dhe joalkoolike etj.

Gjatë kësaj jave, AKU ka realizuar 1954 inspektime në total, 1304 prej të cilave në pikat e inspektimit kufitar, lidhur me praktikat e ndjekura për ngarkesat me ushqime, ushqime për kafshë, produkte të mbrojtjes së bimëve dhe të mjekësisë veterinare.

“Janë marrë në total 100 mostra zyrtare dhe janë realizuar analiza laboratorike për 185 tregues analitik, nga të cilat 6 mostra kanë rezultuar jo konform ligjit, ndaj është vendosur masa administrative “bllokim/ asgjësim produkti. Janë vendosur 180 masa administrative “Paralajmërim”, 21 masa administrative “Gjobë” me vlerë 6.860.000 lekë dhe 6 “Ndërprerje aktiviteti” të operatorit të biznesit”, njofton AKU.

Masat administrative i referohen shkeljeve të parashikimeve ligjore që lidhen me tregtimin e produkteve jashtë afateve të përdorimit, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mangësi në dokumentacion shoqërues të importit, mosetiketim në gjuhën shqipe, mosplotësimi i detyrave të lëna, mungesë licencimi, mungesë e planit të vetëkontrollit (HACCP), mungesë të kushteve higjieno-sanitare etj,

AKU ka ndjekur me prioritet 34 procedura inspektimi për licencim të OBU-ve, ku evidentohen thertore, furra buke, restorante, subjekte për shitje me shumicë dhe pakicë të ushqimeve, stabilimente të përpunimit të qumështit për eksport në vende të BE-së etj.

Gjithashtu janë shqyrtuar 31 kërkesa për notifikimin e 301 etiketave, pas shqyrtimin për përputhshmëri me kërkesat ligjore janë miratuar 193 etiketa, ndërsa 108 etiketa janë kthyer për korrigjim dhe saktësim.