Drejtuesit e G7-s ranë dakord për riforcimin e dialogut dhe koordinimit me Rusinë, përjashtuar nga grupi në vitin 2014, por vlerësuan se ishte ende shumë herët për ta riintegruar në një G8, theksoi sot një burim diplomatik.

“Shtatë drejtuesit, mes të cilëve presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e morën këtë vendim gjatë darkës me rastin e hapjes së samitit”, bëri të ditur i njëjti burim.

“Ata ranë dakord me idenë se G7 duhet të riforcojë dialogun dhe koordinimin me Rusinë mbi krizat aktuale, por vlerësuan se ishte ende shumë herët për ta rikthyer Rusinë në tryezë”, theksoi burimi diplomatik.

Rusia u përjashtua nga G8 në vitin 2014 pas pushtimit të Krimesë, dënuar nga vendet e tjera të grupit.