Kryeministri Edi Rama falenderoi ministrin e jashtëm të Italisë, Di Maio në vizitën e tij të parë në Shqipëri, që përkon me një gjest solidarë të shtetit fqinj ndaj vendit tonë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kreu i qeverisë tha se diskutoi me ministrin italian edhe lidhur me ligjin Anti-KÇK dhe njësinë speciale anti-korrupsion ku tha se Italia do të ofrojë asistencë teknike dhe me njërëz në terren.

Rama: Një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri dhe për të shprehur solidaritetin edhe një herë të qeverisë italiane dhe të popullit mik italian me shqiptarët në këto momente të vështira pas katastrofës së 26 nëntorit. Pavarësisht se e kam thënë, nuk do jetë asnjëherë mjaft për ta shprehur mirënjohjen e thellë ndaj Italisë, dhe ndaj trupave të kërkim shpëtimit dhe të emergjencave civile italiane që ishin të parat që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi. Më vjen mirë që edhe me qeverinë e re italiane kemi një vijim të bashkëpunimit.

Diskutuam edhe për aspekte të partneritetit strategjik. Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë i parë në marrëdhëniet ekonomike, tregtare, dhe vendi që nuk është kursyer asnjëherë në përpjekjet për transformimin e Shqipërisë në demokraci funksionale.

Kemi diskutuar legjislacionin e ri kundër KÇK-së dhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit, Ministri më konfirmoi gatishmërinë e Italisë me asistencë teknike dhe njerëz në terren, bashkëpunim konkret dhe të përditshëm.