Mbështetja e vazhdueshme ndaj Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla (NMV) dhe sipërmarrësve shqiptarë nëpërmjet Fondeve Grant për t’i bërë produktet Made in Albania, gjerësisht të njohura të tregjet e huaj, ka nxitur investimet e reja në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë dhe punësimet e reja.

Agjencia Shqiptare për Nxitjen e Investimeve (AIDA) po zhvillon takime monitoruese “Derë me Derë ” në qytetin e Tiranës dhe Elbasanit, me të gjitha bizneset përfitues të këtyre grenteve, për të parë nga afër implementimin e financimit në produkte konkrete në shërbim të ekonomisë, rritjes së biznesit dhe punësimit.

AIDA bën të ditur se, në bazë të programeve të punës dhe detyrave në ndjekje të zbatimit dhe realizimit të fondeve të disbursuara, gjatë muajit korrik 2019 është angazhuar në monitorimin e progresit të realizuar nga kompanitë përfituese të fondeve dhe impaktit të skemave financiare të menaxhuara nga AIDA.

Stafi i Departamentit të SME & Projekteve i AIDA-s, realizoi gjatë kësaj periudhe takime dhe ofroi asistencë në qytetet Tiranë dhe Elbasan pranë kompanive Shkalla Shpk, Kuld Shpk, Malna Tex dhe Eria Textiles Shpk.

Prodhimet e kompanive tona gjenden sot në shumë tregje evropiane dhe eksportet në Shqipëri përbëjnë një potencial shumë të madh zhvillimi ekonomik, rritje punësimi, por edhe prezantim shumë i mirë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.