“Drama” që rrethon Neymar nuk mund të vazhdojë pa fund. Braziliani do të mbetet te PSG, ose do të kthehet në La Liga, ku Barcelona e Real Madridi janë në garë për shërbimet e tij. Këto janë tri mundësitë reale.

“Goal” zbulon se PSG do ta merrte në konsideratë një ofertë të Barcelonës, që përfshin Philippe Coutinho, Nelson Semedo dhe rreth 50 milionë euro.

Të dielën, me Neymar jashtë formacionit të PSG, tifozët e gjigantëve francezë kërkuan që braziliani të largohet.

Veç banerit “Neymar, zhduku nga këtu”, tifozët brohoritën në kor plot urrejtje e fyerje ndaj “10”.

Pas ndeshjes, 27-vjeçari u mor në mbrojtje nga bashkëlojtarët.

Marquinhos i minimizoi ato që ndodhën në shkallët e stadiumit, duke thënë se për të tilla gjëra mendojnë drejtuesit:

“Të gjithë duhet të përqendrohemi në lojën dhe filozofinë tonë. Pjesën tjetër ia lëmë bordit drejtues dhe Neymar.

Ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Ne me të vërtetë duhet të mendojmë për fushën, jo për transferimet”.

Ndërsa mbrojtësi nuk ishte në gjendje të flasë nominalisht për Neymar, shoku tjetër i ekipit, Kylian Mbappe, i cili shënoi golin e dytë gjatë fitores 3-0 të së dielës, e bëri të qartë se pa Neymar, gjërat do të ishin ndryshe te PSG:

“Ne nuk mund ta gënjejmë veten; duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me Neymar.

Nuk është i njëjti ekip pa Neymar, siç është me të. Sidoqoftë, do të përpiqemi të japim gjithçka për tifozët”.