“Mbaj pastër, gjej pastër” është angazhimi më i madh i bashkisë së krujës, e cila ka ndërmarrë këtë fundjavë një aksion të gjerë pastrimi.

Punonjësit e shërbimeve publike të bashkisë në bashkëpunim me komunitetin dhe punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura, Durrës i janë bashkuar këtij aksioni.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, shprehet se “sërish u bëmë bashkë për një qytet pa mbeturina. “Mbaj pastër, gjej pastër” është angazhimi më i madh që kemi marrë në bashkëpunim me komunitetin. Shumë mirënjohje nxënësve dhe mësuesve të shkollës nr 4, miqve të ADZM, që u bashkuan në një aksionin e radhës të pastrimit”.

Ditën e sotme ky aksion është përqendruar në rrugën nacionale nga Rinasi në Fushë-Krujë.

Përgjegjësi i zyrës së turizmit në bashkinë e Krujës, Drini Masha, shprehet për ATSH-në se “ky aksion ka për qëllim që të mbajmë pastër gjithë bashkinë tonë, në mënyrë që turistët vendas e të huaj të gjejnë një mjedis të pastër”.

“Në një hark kohor prej 20 ditësh janë kryer 5 aksione të mëdha pastrimi në të gjithë bashkinë e Krujës”, shtoi Masha.

Masha u shpreh se “muaji shtator-tetor është piku më i lartë i sezonit turistik në qytetin e Krujës, pasi turistët preferojnë më shumë turizmin kulturor, ku njihen me historinë dhe kulturën e qytetit tonë dhe falë këtij angazhimi ne na lind detyra që ata të gjejnë mjedise të pastra”.

Mbrojtja e mjedisit dhe e monumenteve është përgjegjësi e të gjithëve, prandaj bashkia e Krujës fton qytetarët të kujdesen më shumë për mjedisin.