Nga Enver Robelli/

Ky është Max Frischi, njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj zviceranë. [Për mua më i madhi!] «Sikur të jetonim kur jetuam!», është një fjali e tij. E saktë. E vërtetë. E rëndësishme. Max Frischi ishte arkitekt me profesion. Ka lënë disa gjurmë arkitektonike në Zürich. Por ky profesion nuk i mjaftoi. Në vitet 30-të, pra para gati një shekulli, filloi të merrej me shkrime. Më 1933 shkoi në Pragë për të raportuar për gazetën «Tages Anzeiger» nga Kampionati Botëror i Hokejit mbi Akull.

[Gazetarët më të mirë janë ata që fillimisht kanë raportuar për sportin]. Nga Praga Max Frischi i shkroi nënës së tij pak a shumë këtë: Nënë, s’dua të kthehem në Zürich, do të udhëtoj pak në Orient. Dhe vazhdoi udhën. Shkoi në Budapest, në Beograd (një qytet i kotë, siç nënvizoi), pastaj vizitoi Sarajevën, ku u fascinua me botën orientale, dhe më gjatë u ndal në Dubrovnik. Këtu shkroi romanin e tij të parë. Mandej vazhdoi nëpër Mal të Zi dhe arriti në Pejë e Deçan. Në Manastirin e Deçanit la një shënim. Ky shënim edhe sot gjendet në librat e Manastirit. Vazhdoi udhën për në Greqi e Turqi. Një ide: do të ishte bukur nëse Kosova (po të kishte qeveri serioze dhe ministri serioze të turizmit) ta mbulonte Zürichun me disa posterë me këtë mesazh: «Vizitojeni Kosovën siç bëri Max Frisch më 1933».

Në vitet 70-të, kur jo pak popullistë zviceranë synonin përzënien e të huajve, Max Frisch përkrahu të huajt, shqiptarët, italianët, ballkanasit… Për zviceranët tha: «Populli i cili e përjeton veten si racë sipërore ndihet edhe i rrezikuar: fuqia punonjëse është ftuar dhe njerëz po vijnë. Ata nuk po e gllabërojnë mirëqenien, përkundrazi, ata janë të domosdoshëm për mirëqenien».

Sot shqiptarët në Zvicër lëre që janë të domosdoshëm për mirëqenien, por edhe për ekipin nacional të futbollit – me shqiponjë, natyrisht.