Pak minuta më parë, në mediat shqiptare qarkullonte një dokument që mohonte apelimin e klubit të Skënderbeut rreth çështjes së CAS.

Aty thuhej se në zyrat e saj nuk ka mbërritur asnjë apelim nga drejtues të korçarëve rreth vendimit të UEFA-s, që përjashton bardhekuqtë nga kompeticionet europiane për një periudhë 10-vjeçare. Të vënë përballë këtij fakti dhe pretendimeve, klubi bardhekuq ka reaguar me një komunikatë përgënjeshtruese.

Reagimi i plotë i korçarëve:

PËRGËNJESHTRIM – Duke marrë shkas nga lajmi i shpërndarë në mediat online, KF Skënderbeu siguron opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se klubi ka apeluar vendimin e UEFA-s në CAS dhe jemi duke pritur datën e seancës dëgjimore.

Dokumenti i publikuar më poshtë i përket datës 29 tetor dhe është letërkëmbimi i fundit mes palëve në proçes, dokument i cili hedh poshtë pretendimin e mediave vizive dhe online se në CAS nuk ka një apelim nga KF Skënderbeu.

Shprehim publikisht indinjatën dhe zhgënjimin tonë karshi qarqeve të caktuara të cilat vijojnë të ‘luftojnë’ klubin tonë me qëllim destabilizimi duke keqinformuar qëllimisht opinionin publik.

KF Skënderbeu siguron mediat dhe Sportdashësit bardhekuq se do ti shkojmë deri në fund kësaj cështje për të zgjidhur dhe zbardhur të vertetën e këtij lajmi dashakeq karshi klubit.

Faleminderit për mirëkuptimin!

Zyra për shtyp,
KF Skënderbeu