Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, që transmetohet sonte në mbrëmje, se 2019-ta mund të jetë viti I arritjes së një marrëveshjeje historike Kosovë-Serbi, por pranoi se arritja e saj nuk do te jetë e thjeshtë dhe demarkacioni I kufirit zë peshë të rëndësishme.

“Serbia nuk do ta japë si dhuratë njohjen e Kosovës, por në një proces të diskutimit të çështjeve të ndjeshme. Pa njohjen e kufijve reciprokë, njëri me tjetrin nuk do të ketë njohje”, – tha Thaçi në “Përballë”.

Ideja e hedhur nga Thaçi për korrigjimin e kufijve ka ngjallur mjaft reagime. Të shumtë janë ata që mendojnë se ajo do të hapte “Kutinë e Pandorës”. Por Presidenti Thaçi shprehu këtë qëndrim në RTSH: “Kutia e Pandorës sot është e hapur. gjidhja e problemit përfundimtar e problemit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë e mbyll kutinë e Pandorës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse mund të arrihet një marrëveshje paqësore, pa probleme, pa konflikte, pa viktima, pa tragjedi, pa spastrime etnike dhe gjenocid”.

Presidenti Thaçi foli edhe për takimin në Paris me Presidentin e Rusisë, Putin.

“Për hir të opinionit e kam pyetur, po nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, ndodh njohja reciproke, çështja e Kosovës kalon në Këshillin e Sigurimit, cili do të jetë pozicioni juaj. “Ne nuk mund të sillemi më serbë se Serbia” më tha”, – u shpeh Thaçi në “Përballë”

I pyetur lidhur me bisedën telefonike me Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, Thaçi tregoi për kërkesat e tij. “Kërkoi pezullimin e taksës dhe hapjen e mundësisë për dialog dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, përndryshe siç ka theksuar dhe ai, SHBA-së është duke i humbur durimi”.

Intervista e plotë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi transmetohet në orën 21.00 në RTSH 1.