Menjëherë pas akuzave të ngritura ndaj tij nga Partia Demokratike, kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka reaguar për Ora news, duke i hedhur poshtë ato.

“Kur kam shkuar në Itali me 6 mars të 1991 jam regjistruar Mark Babani i datëlindjes 24 dhjetor 1966. Kam filluar punë në një fabrikë peshku në fund të ’91 deri në ’94. Jam larguar nga Italia në 1995, me fabrikën që punoja kemi bërë një investim në Shëngjin të Lezhës.
Kjo pjesë nuk ka lidhje me mua dhe jetën time, më vjen shumë turp që i dëgjoj këto fjalë. Unë garantoj nëse ata më gjejnë jo këtë, por dhe një gjobë 100 euro në gjithë Europën unë do ti kem borxhin më të madh këtij vendi.
Do t’i denoncoj për shpifje. Jam i gatshëm që tani ti vë në dispozicion Prokurorisë, Krimeve të Renda që ta çojën në fund këtë histori.”, u shpreh Babani.

Më herët, përmes një letre zyrtare drejtuar Prokurorisë, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i kërkoi kësaj të fundit të bënte verifikimet për Babanin, pasi dyshohet që ka qenë i arrestuar në Itali, por edhe në Maqedoninë e Veriut.