”Është i rëndësishëm ky proces dialogu që po ndodh sot sepse dialogu është ai që duhet të na shtyj sa më tepër për të përmbushur objektivat. Përsa i përket Universitetit të Arteve është shumë i thjeshtë bashkëpunimit fillestar që do kemi përsa i përket stazheve, praktikave profesionale të studentëve në fushat si në ministrinë tonë, po ashtu dhe në të gjitha institucionet e varësisë të cilët janë të shumta, që nga Galeria e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar etj, pra mundësitë dhe ambientet janë pafund duhet vetë të krijohet një bashkëpunim mes ministrisë, institucioneve të varësisë dhe pedagogëve dhe profesorëve”.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit të Paktit për Universitetin, një takim i organizuar me ministrat e përfshirë në grupin e punës, rektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë. Ajo tha se ”ky bashkëpunim krijohet me një grup pune me persona si nga ministria jonë ashtu dhe nga Universiteti i Arteve po jo vetëm. Do jenë personat kyç që do fillojnë të krijojnë një ekip i cili do hap dhe radhë të tjera komunikimi. Mbi të gjitha duhet strukturuar një grup i tillë pune i cili do krijoj kontaktet e para, do filloj ti jap prioritet punëve të para që duhen zhvilluar”.

”Kam patur këto ditë edhe kontakte nga student të Histori-Gjeografisë të cilët kanë mbaruar masterin në trashëgimi kulturore ne kemi mundësinë dhe të agjencive të tjera si ajo e Institutit të Monumenteve të Kulturës që prek po ashtu dhe Universitetin Politeknik, Fakultetin e Infrastrukturës dhe Urbanistikës të cilët kanë një master po ashtu në restaurim”, tha Margariti.

Ajo vijoj se ”duhet të krijohet rrethi i duhur i personave pasi mundësitë janë të shumta, por vetëm duke i strukturuar sa më mirë do arrijmë të kemi rezultatet e duhura. Gjithashtu një problematikë që hasa në takimin në Universitetin e Arteve ishte ajo e kërkimit shkencor. Unë mendoj që kjo është një nga pikat e rëndësishme sepse Universiteti i Arteve mund të jetë një përfaqësim i denjë i ekselencës shqiptare në botë. Mendoj që promovimi i kulturës tonë duhet të shkoj përtej qyteteve tona pra ne kemi mundësinë të kemi një kalendar të mirëfilltë aktivitetesh ndërkombëtare dhe te kjo pikë do i lutesha grupit të punës ti jepet prioritet pikërisht dhe këtij aspekti sepse mendoj që ajo që na ka munguar deri sot ka qenë një ndërveprim më i madh midis Shqipërisë dhe artistëve jashtë të diasporës por dhe artistët tanë që shfaqin talentin e tyre dhe jashtë territorit”.

”Kërkimi shkencor do të krijojë ura të mira bashkëpunimi si me universitetet të tjera të huaj dhe gjithashtu dhe me institucione të tjera të fushë së artit dhe kulturës. Një tjetër problematikë që u shfaq është ajo e literaturës, është një problematikë që jemi fokusuar për të krijuar një databazë të mirë të librave që aktualisht ndodhen në Shqipëri por edhe atyre të cilat mund të pasurohen. Fondi i Bibliotekës Kombëtare duhet të ketë një fokus më të veçantë dhe në pjesën që ndërlidhet me Universitetin e Arteve”, u shpreh Margariti. ”Mendoj që të gjitha janë të mundura duhet vetëm të fillojmë mirë një bashkëpunim, të seleksionojmë personat e duhur që kanë energji pozitive dhe që duan që këtë bashkëpunim ta kthejnë në real”, përfundoi ministrja e Kulturës Elva Margariti.