Rikthehet këtë të diel edicioni i katërt i Maratonës së Tiranës, jo vetëm si një garë sportive, por edhe një mundësi për tu argëtuar dhe për të mbajtur trupin në formë. Për këtë Bashkia e Tiranës si një nga organizatoret e këtij eventi të madh sportiv ka menduar që të vijë këtë vit me plotë risi, si në aspektin e organizimit ashtu edhe të itinerarit që do të përshkojnë sportistët nga mbi 42 shtete të ndryshme që do të marrin pjesë në të.

Gara është e organizuar në dy kategori: Tirana10K dhe Half Marathon 21 Km, të cila do të përshkruajnë thuajse të njëjtin itinerar. Starti ndryshe nga vitin e kaluar kësaj here do jetë në Sheshin “Skëndërbej” dhe më pas vrapuesit e të dyja kategorive do të kalojnë në Rr. “Ded Gjo Luli” – Rr. “Kavajës” – Rr. “Ibrahim Rugova” – Shëtitorja “Lasgush Poradeci” – Shtegu i Biçikletave te Parku i Liqenit – Rr. “Lek Dukagjini” – Sheshi “Nënë Tereza” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Rr. “Gjergj Filipi” – Rr. “Papa Gjon Pali II” – Bulevardi “Bajram Curri” – Rr. “George W. Bush” – Rr. “Abdi Toptani” dhe për të arritur finishin që sërish do jetë Sheshi “Skëndërbej”.

Kategoria Tirana 10K do ta përshkojë këtë itinerar vetëm një herë, ndërsa Half Marathon 21 Km do ta përshkojë dy herë, plus 1 mijë metra më shumë në rrugën e “Kavajës”.

Me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv që zhvillohet në vendin tonë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të maratonës. Sipas këtij plani masash është parashikuar që duke filluar nga e shtuna pasdite deri të dielën në mesditë do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve në disa segmente rrugore, ku do kalojë itinerari i maratonës.

Këtë vit janë regjistruar vrapues nga 42 shtete të botës, duke filluar që nga Australia e largët dhe Filipinet, e gjer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Brazili. Vetëm nga SHBA janë 24 garues. Ajo që bie në sy janë edhe garuesit nga Serbia, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi, ç’ka tregon se Maratona e Tiranës është kthyer edhe në një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme në Ballkan.

Përshkrimi i itinerarit

Sheshi “Skenderbej”;Rr. “Ded Gjo Luli”;Rr. “Kavajës” ;Rr. Ibrahim Rugova;Shëtitorja “Lasgush Poradeci”;Shtegu i biçikletave te Parku i Liqenit;Rr. “Lek Dukagjini”;Sheshi “Nënë Tereza”;Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;Rr. “Gjergj Filipi”;Rr. “Papa Gjon Pali II”;Bulevardi “Bajram Curri”;Rr. “George Ë. Bush”;Rr. “Abdi Toptani”;Bashkia Tiranë;Sheshi “Skëndërbej”.