Diego Maradona ka insistuar se ai është shumë i shëndetshëm, përkundër pretendimeve të vajzës së tij se trajneri i Gimnasia La Platas është duke vdekur nga brenda.

Gianinna Maradona, ish-bashkëlojtarët e sulmuesit të Manchester Cityt Sergio Agueros, publikisht i kishte shprehur shqetësimet e saja për shëndetin e babait të saj, Diego Maradonas, në rrjetet sociale javën e kaluar.

“Ai nuk po vdes sepse trupi i tij ka vendosur ashtu, ai po vdes nga brenda dhe as që e kupton këtë gjë”, kishte shkruar 30-vjeçarja në llogaritë e saja në rrjetet sociale.

“Unë nuk besoj në parametrat e normales, por kjo është larg realitetit të cilin e meriton ai. Lutuni për të! Faleminderit!”

Më pas ajo postoi sërish, duke shkruar: “A e mbani mend një kopsht zoologjik ku ju mund të bënit fotografi me një luan gjigant? Ju mund të hynit në një kafaz dhe ta përkdhelnit. Ata e mbanin me plot drogë, përndryshe do të kishte qenë e pamundur ta urtosh një kafshë të egër. Çfarëdo ngjasimi me realitetin është një rastësi e pastër”.

Legjenda e Argjentinës ka sugjeruar se ai nuk është i sigurt se çfarë kishte dashur të thotë vajza e tij, mirëpo ai ka theksuar se shqetësimet e saja për shëndetin e tij nuk janë të nevojshme sepse ai nuk po vdes.

“Unë s’jam duke vdekur aspak, unë fle paqësisht sepse jam duke punuar. Me kalimin e viteve, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që do ta lësh prapa sesa për atë që ti po e bën”, ka thënë Maradona  në videon në Instagram.

“Unë u them të gjithëve se nuk do t’iu lë atyre asgjë, se do të dhuroj gjithçka për bamirësi. Gjithçka që kam fituar deri më tani, do ta dhuroj. Tani për tani, jam shumë i shëndetshëm”.