Atentati ndaj prokurorit Arian Ndoji ka shtuar vëmendjen në të gjithë aktivitetin e tij si prokuror, i cili rezulton me shumë dritëhije gjatë karrierës së tij.

Pikëpyetje të shumta janë ngritur për veprimtarinë e tij gjatë karrierës më shumë se 15-vjeçare, ndërsa disa fakte të reja dalin sa i përket deklarimit të pasurisë së tij ndër vite, ku veçse mbetet një pikëpyetje e madhe për pasurinë e vendosur prej 780 mijë eurosh në një kohë të shkurtër që ai ka punuar si avokat, pasi ishte shkarkuar si prokuror dhe që familjes së tij i kanë dhuruar prona të ndryshme ndër vite.

Një nga këto fakte është edhe shitja e një makine. Sipas të dhënave të marra nga deklarata e tij e pasurisë, rezulton se në vitin 2003, Arian Ndoji ka deklaruar se ka në pronësi një makinë Mercedes Benz 190, me vlerë 200 mijë lekë, ndërsa shpjegon se kaq është vlera totale e blerjes së makinës, shtuar edhe pagesën e doganës dhe dokumenteve. Kjo është deklarata e tij e parë e pasurisë si prokuror. Por çfarë ndodh?

Duke hulumtuar dhe më tej vihet re se në vitin 2009, ai ka deklaruar se e ka shitur këtë makinë, konkretisht gjatë vitit 2008, raporton Realstory.

Vetëm një vit më herët, ai ishte rikthyer në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, pasi kishte fituar gjyqin ndaj urdhrit të shkarkimit të tij.

Por dyshimet vijnë pikërisht për çmimin e shitjes, ku makina, e cila kishte kushtuar 200 mijë lekë, pas gjashtë vitesh përdorim, Ndoji arrin ta shesë me vlerën 550 mijë lekë, pra pothuajse me trefishin e çmimit.

Kjo ngre dyshimet se Ndoja veçse një prokuror, me pasuri marramendëse, ose ka qenë një tregtar i suksesshëm, ose kjo është vetëm një nga manovrat që ai mund të ketë bërë të justifikuar pasurinë, ashtu siç mund të jetë edhe rasti i dhurimit të 20 hektarëve tokë për bashkëshorten e tij në vitin 2014.

Këto dyshime vijnë për faktin se prokurori Ndoji është denoncuar në atë kohë edhe manovrën me dhënien e një borxhi prej 70 mijë eurosh, ndërsa shpesh herë, zyrtarë të instancave të ndryshme shtetërore kanë përdorur manovra të tilla për të justifikuar pasurinë e vendosur ndër vite.

Megjithatë, do të jetë procesi i vetting, apo tashmë hetimi i marrë nga Prokuroria e Përgjithshme për të hedhur më shumë dritë mbi këto fakte që shoqërojnë ndër vite karrierën e Arian Ndojës. TEMA/