Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ornela Çuçi, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, përgjegjëse për strehimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti, po kujdesen që familjet më në nevojë të Manzës, të kalojnë nga çadrat drejt njësive të lëvizshme të strehimit, me kushte shumë më të mira jetese, që nga ngrohja, ndriçimi, tualetet dhe mjetet e nevojshme të akomodimit.

Ndërkohë që në qendrën shëndetësore të Manzës po ofrohet shërbimi shëndetësor në 24 orë, në këtë zonë janë identifikuar 32 banorë me sëmundje kronike dhe atyre u janë siguruar të gjitha barnat falas.

Kamera e ERTV ishte një ditë më parë në kampin me çadra në Manzë, ku ishin strehuar banorët e Manzës, banesat e të cilëve ishin dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Një ditë më pas, pra sot, premtimi është mbajtur. Banorët janë transferuar nga çadrat e kampit në njësitë e strehimit lëvizëse të cilat ofrojnë kushtet normale të jetesës, me të gjitha standardet.

“Kemi zgjedhur që të gjitha familjet që kanë fëmijë të sistemohen të parët në njësitë e lëvizshme të banimit, duke qenë se moti është ftohur dhe kujdesi duhet shtuar më shumë për ta”,- shprehet Manastirliu për ERTV.

Ndërsa Çuçi bëri të ditur se po përgatitet sheshi për instalimin edhe të 10 njësive të tjera banimi, ku krahas transferimit marrin në mënyrë të pandërprerë shërbimin mjekësor dhe barnat e nevojshme që janë regjistruar në kartelat përkatëse të tyre.

“Tashmë në Manëz janë vënë 16 struktura të lëvizshme të banimit, që janë me kushte higjeno sanitare, janë të ngrohta kanë dushe dhe gjithçka që duhet të ketë një shtëpi me kushte normale. Pra janë struktura që mbrojnë shëndetin e banorëve. Ndërkohë që qendrat shëndetësore do të vijojnë të jenë pranë tyre dhe në dispozicion 24 orë me mjekët dhe infermierët përkatës” – tha Manastirliu për ERTV.

Nga ana e saj zv.ministrja Çuçi shpjegoi se “transferimi i banorëve në këto njësi është bërë konform plotësimit të të gjitha rregullave dhe kritereve të përparësisë. Por procesi i transferimit po vijon edhe për banorët e tjerë në Manzë”