Mançester Junajtid ka ndalur ecurinë perfekte të Liverpulit, duke barazuar 1-1 me kryesuesit e kampionatit e duke i dhënë një mundësi tjetër Mançester Sitit në luftën për titullin në një sezon ku dukej se ekipi i Klop po shkonte qetësisht drejt trofeut.

Pas 8 fitoreve radhazi ka ardhur edhe barazimi i parë për të kuqtë, në një ndeshje me dy fytyra.

Në pjesën e parë, Mançester Junajtid ishte i vendosur më mirë në fushën e lojës dhe kontrollonte me qetësi iniciativat e kryesuesve të kampionatit të cilët çuditërisht dukeshin shumë larg formës së zakonshme.

Episodi që solli kthesën e sfidës ishte në minutën e 36 të saj, kur Rashford më në fund arriti të gjente hapësirën për të dërguar topin në rrjetë, pas një aksioni shumë të mirë të skuadrës së Solskjaer.

Protesta pa fund të të kuqve, duke filluar nga Klop, i cili ishte i inatosur pasi në fillim të aksionit kishte pasur një faull të dukshëm ndaj Origit, të cilin as VAR nuk e ktheu.

Avantazhi i dha më shumë shpresë Junajtid, por edhe tërboi Liverpulin që dominoi pjesën e dytë të ndeshjes duke mbyllur ekipin vendas në gjysmëfushën e vet. Vendasit thjesht u munduan që të ruanin të paprekur portën e De Geas, i cili në fakt rrallëherë u vu në vështirësi nga ekipi kundërshtar.

Megjithatë, “parkimi i autobusit” funksionoi deri në minutën e 83-të, kur Robertson gjeti hapësirën për të pasuar te Lallana në shtyllën e dytë me këtë të fundit i cili dërgoi sferën në rrjetë.

Liverpuli u mundua që të fitonte ndeshjen, duke përfituar nga lodhja e Junajtid, por nuk u ndihmua as nga VAR në shtesë në kërkimin e një penalltie, duke bërë që sfida të mbyllej 1-1.

Tani të kuqtë kanë “vetëm” 6 pikë diferencë ndaj Mançester Siti që i ndjek, ndërsa mbeten ende të pamposhtur në kreun e Premier Ligës.