Ish-ministrja e Kulturës, deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro, ishte e ftuar në A2 ku foli për nismën e re të publikuar një ditë më parë “Edhe një”, por edhe për mos-hapjen e negociatave.

Kumbaro theksoi se Franca ka problemet e saj të brendshme dhe për këtë kujton protestën e “Jelekverdhëve”. Ish-ministrja u shpreh se Macron i luajti kartat jo në interes të BE-së. Sa i përket azilkërkuesve në Francë, ajo u shpreh se ky ishte një pretekst i Presidentit francez.

Çfarë është nisma “Edhe një” për organizatat socialiste?

“Në majën e Ekzekutivit, të dy qeveritë e kësaj mazhorance e kanë pasur si objektiv jo vetëm në nivel ministrash, por edhe në drejtim të agjencive më të rëndësishme të vendit ne kemi drejtuese gra. Por kjo nuk mjafton, është më e thjeshta. Nëse ke vullnetin, në të gjithë vendin mund të gjesh zonja shumë të afta profesionalisht dhe shumë të angazhuara në shoqëri, po ashtu edhe me bindjen për ta kthyer këtë edhe në një angazhim në politik. Por problemi nuk është zgjidhur. Ne kemi një problem shumë të thellë emancipimi në shoqëri. Nëse nuk e ndryshon dot mentalitetin e shoqërisë me vendime administrative, organizatat politike janë një formë shumë e mirë ku mund të gjenden që në qelizë mundësi. Ajo çka Rama dje tha lidhet me organizatat socialiste në terren. Kjo do të thotë që për çdo qendër votimi ka një organizatë socialiste që i përgjigjet. Këto organizata janë një kuvend i vogël në të cilin gratë duhet të jenë të përfaqësuara për të siguruar që në formë kapilare, në të gjithë shoqërinë, ato të kenë përgjegjësi në organizimit të komunitetit të vogël edhe ta përcjellin këtë deri në hierarki. Kemi një disbalancë midis përfaqësimit të grave në nivelet më të larta. Unë besoj se roli i partive politike nuk është vetëm rol për të marrë pushtetin, por ka edhe një detyrë dhe rol emancipues në shoqëri. Nëse kjo vjen nga një parti që është në pushtet… besoj se kemi edhe mjetin, edhe bindjen, edhe forcën për ta treguar”.

“’Jo’-ja për negociatat nuk na ra nga qielli”

“Përderisa ishte një zhgënjim për Departamentin Amerikan të Shtetit, përderisa u konsiderua si një gabim shumë i madh nga Juncker, zhgënjim për presidenten e re të Komisionit Europian, zhgënjim për Tusk, pa folur më pas për deklaratat individuale të kryeministrit italian e me radhë, padiskutim që është një zhgënjim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por mund të themi se ishte një erë që po frynte dhe ne po e ndjenim. Unë, të paktën personalisht duke ndjekur nga shumë afër politikën franceze, e njihnim si vështirësi, nuk na ra nga qielli. Pavarësisht se mbështetja e 25 vendeve të BE dhe sidomos i gjithë debati që u bë në Bundestagun gjerman, ishte kaq evidente dhe e fortë. Nuk kishim pse ta humbnim besimin deri në ditën e fundit. Por Macron ka vënë në diskutim edhe mekanizimin e vetos që vetë e përdori.

“E mirëkuptoj Macron-in, kur ka prioritet politikën e brendshme”

“Nuk duhet harruar edhe politika e brendshme franceze. Jemi vetëm pak javë larg nga mbyllja e vitit të nisjes së protestave edhe të dhunshme të “Jelekverdhëve” në Francë. Kjo është një nga valët më të gjata dhe protestat më të dhunshme të republikës së pestë franceze, të cilat kanë diktuar në mënyrë evidente politikën e brendshme të Francës. Në këtë rast unë e mirëkuptoj kur ai ka prioritet politikën e brendshme. Kartat i luan jo në interes të BE-së dhe aq më pak të zgjerimit. Macron tha: Çfarë t’iu them unë zgjedhësve të mi”.

“Azilkërkuesit shqiptarë në Francë, një pretekst i Macron”

“Më shumë se sa një motivacion, unë do ta quaja një pretekst edhe pse e njoh mjaftueshëm procesin e brendshëm të trajnetimit të procesimit të kërkesave për azil politik në Francë. Për hir të së vërtetës, në analizat e vitit të fundit, të 2018-ës, kanë qenë në ulje. Është vetë sistemi që ka nevojë të reformohet. Kërkesat për azilantët ishte i vetmi justifikim që mund të nxirrte. Në Francë ka një të çarë të sistemit dhe siç e thonë edhe mediat franceze, duket të reformohet”.