Në një fushatë elektorale të zbehtë për Parlamentin Europian, presidenti i Francës ndërmerr iniciativën dhe kërkon reforma. Përpjekjet dinamike për ringjalljen e Europës, janë të mirëseradhura, mendon Bernd Riegert.

Nga Deutsche Welle

Presidenti francez Emmanuel Macron ndjek një strategji të rafinuar komunikimi: Me publikimin njëkohësisht të thirrjes së tij për ripërtëritjen e Europës në 28 gazeta të përditshme, ai përcakton për dy tri ditë debatin mbi politikën europiane. Vizionet e Macronit komentohen anë e mbanë – të paktën në radhët e europianëve, që lexojnë gazetat. Megjithatë është me pikëpyetje, nëse ai me këtë arrin të tërheqë edhe qytetarët “e revoltuar”, të cilët në Francë mbajnë jelekët e verdhë dhe në Britaninë e Madhe valëvisin flamurin e Brexitit.

Por të paktën ai bën një ofertë dhe shpalos objektiva ambicioze, ndërkohë që të tjerë politikanë në Europë preferojnë më mirë të mos dalin në skenë, si kancelarja gjermane, apo të tjerë që predikojnë nacionalizmin, si kryeministri hungarez e ministri i Brendshëm italian. Në sfondin e përpjekjes kaotike të britanikëve, për t’u larguar nga unioni, presdienti francez ofron një projekt të kundërt, një “Renaissance” – Rilindje për Europën, që sipas tij është e kërcënuar.

Pjesërisht gjëra të njohur prej kohësh, pjesërisht ndryshime radikale

Propozimet janë pjesërisht të njohura, si p.sh. mbrojtja e përbashkët e kufijve të jashtëm, pjesërisht ato janë radikale, sikurse është edhe sugjerimi për orientimin e të gjithë politikës së BE-së në luftën kundër ndryshimit të klimës. Macron kërkon njëkohësisht një sërë institucionesh të reja: duke filluar që nga një agjenci jo realiste për mbrojtjen e demokracisë e deri tek një bankë investimi për klimën, e cila ndoshta mund të ketë shanse për t’u vënë në jetë. Para 18 muajsh francezi mbajti një fjalim parimor me një katalog kërkesash, prej të cilave vetëm një pjesë e vogël, si p.sh. buxheti për monedhën e përbashkët Euro, mund të realizohet me kujdes për një afat të parashikueshëm.

Emmanuel Macron e sheh veten në rolin e një mendimtari të stuhishëm. Pjesa tjetër e duos franko-gjermane, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka rolin e një realisteje të matur, e cila i bazon vizionet tek e bëshmja. Macron, i ndodhur në vështirësi në politikën e brendëshme, nuk ka më zell të presë ndaj Merkelit. Ai imponohet në vijën e parë, ndërsa ajo me rezerva do ta pasojë. Ndonëse të dy politikanët më të rëndësishëm europianë në janar nënshkruan “Marrëveshjen e re të Aachenit”, një nismë e përbashkët në nivel europian, politika në praktikë në fakt gjithmonë duket disi më ndryshe.

Me thirrjen e tij, që të mbrohen firmat europiane prej konkurrencës amerikane dhe kineze, Macron reagon ndaj proteksionizmit dhe luftërave tregtare që po ravijëzohen. Me kërkesën e tij për mbylljen e kufijve në hapësirën Shengen ndaj migrantëve dhe për një politikë më restriktive azilimi brenda BE-së, ai reagon ndaj ndjenjës së shumë europianëve për mbrojtje, gjë që në fakt u jep krah populistëve të djathtë dhe nacionalistëve. Megjtihatë ai kërkon edhe shpërndarjen e migrantëve nëpër të gjitha shtetet e BE-së, gjë që mund të acarojë “armiqtë e tij të dashur” në Hungari e Itali.

Më në fund një debat

Letra ndaj europianeve dhe europianëve tri javë përpara Brexitit të mundshëm dhe dymbëdhjetë javë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian është natyrisht edhe hapje e një fushate elektorale, që Macron në mënyrë retorike po e stilizon si një çështje të fatit. Me lëvizjen e tij ai do që luftëtarët dinamikë elektoralë të karakterizojnë edhe Parlamentin në Strasburg e për këtë ai do të mobilizojë edhe forcat pro-europiane. Eshtë pikërisht koha, që dikush të nisë të drejtojë një luftë serioze elektrorale. Deri tani kishim vetëm ec e jaket e lodhura të përballjes mes populistëve dhe liberalëve. Ndërsa tani debati mund të marrë hov.

Në fund të vitit propozimet e Macronit për reforma mund të kurorëzohen në një “Konferencë për Europën”. Presidenti francez nuk e përjashton një ndryshim të Marrëveshjeve të BE-së. Ky është një hap mjaft i guximshëm, sepse pikërisht në Francë duhet që të vendosë populli për ndryshime rrënjësore. I nxitur prej “jelek verdhëve” protestues dhe kuotave të ulëta në elektorat, Emmanuel Macron reagon duke synuar zgjidhjen me idetë e tij. Kjo mund t’i bëj mirë Europës.