Nga Harilla Koçi – ATSH/

“Na gjeti krejt të papërgatitur përfundimi i “Lungomares” dhe rritjen e volumit të punës e përballuam me mjaft vështirësi”,- më thoshte dy vjet më parë, në fillim të muajit shtator të 2017-ës, bashkëpronari i një prej lokaleve më të njohura përgjatë shëtitores në Vlorë.

Sipas tij, fluksi i klientëve në ato dy muaj u rrit ndjeshëm, çka i detyroi atë dhe ortakun, të rekrutonin personel me mangësi në formim, por me dëshirën për të punuar. Sot, dy vjet më pas, ai ndjen siguri në investimin që ka bërë, ndërkohë që, të ardhurat i janë shtuar dhe beson se do t’i shtojë edhe më tej gjatë kësaj vere.

Në sezonin veror të dy viteve të shkuara, ndërkohë që projekti i “Lungomares” sapo kishte përfunduar, kjo pjesë e bregdetit vlonjat, u bë edhe epiqendra e performancës turistike në Vlorë dhe më gjerë. Me transformimin e thellë infrastrukturor, pamjen tërheqëse estetike, dimensionin funksional dhe elementët e tjerë atraktivë, “Shëtitorja” u shndërrua në vetëm pak muaj në polin më të rëndësishëm të qytetit të Vlorës.

Sot, Lungomare është pasqyra e dinamikës së zhvillimit të qytetit, e jetës dhe argëtimit, e ekonomisë dhe shpresës. Vetëm gjatë këtij viti, përgjatë saj, u hapën dhe nisën aktivitetin 7 subjekte të reja hotelerie, ndërkohë që, krahasuar me dy vite me parë, kapaciteti akomodues hotelerik ka regjistruar një rritje me të paktën 4 herë.

Një trend i theksuar rritjeje është shënuar edhe në drejtim të lokaleve, bareve dhe restoranteve. Në gjeografinë e strukturën e këtij sektori, ka një ndryshim tërësor. Numri i subjekteve është rritur me me më shumë se 40 përqind, krahasuar me 2017-tën, ndërsa cilësia dhe në përgjithësi, standardi i shërbimit, as që mund të krahasohen. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, dinamika e transformimit ka qenë aq intensive sa, sot mund të thuhet me bindje që, “Lungomare” është shndërruar në një model për zhvillimin e turizmit, në një model të suksesshëm, ku, efektiviteti i investimit është mjaft i dukshëm.

Në këtë pjesë të bregdetit, kanë investuar individë dhe biznese nga Vlora, Tirana, qytete e krahina të ndryshme të Shqipërisë, ashtu si edhe nga Kosova, Italia, Turqia e vende të tjera. Në këtë këndvështrim, “Lungomare” është një mjedis ku bashkëjetojnë e konkurrojnë, filozofi të ndryshme të të bërit biznes, ku zhvillohen interesa, ku janë shkrirë kufijtë mes shteteve, ku individët nuk vlerësohen me atë se “nga vijnë”, por me “çfarë bëjnë”.

“Të ardhurat e mia dhe të ortakut tim, janë aktualisht dy herë më të larta se sa dy vite më parë”, thotë pronari i lokalit që përmenda në hyrje të shkrimit.

Ai saktëson se, transformimi i vijës bregdetare nga Skela në Ujin e Ftohtë, ka krijuar një atmosferë tjetër, ka shtuar fluksin e pushuesve, të cilët shëtisin mbrëmjeve, por edhe konsumojnë një darkë, apo një gotë verë, një pije freskuese etj.

Ndërkohë, Mesoja, bashkëpronar i një tjetër restoranti gjithashtu të njohur, e çon edhe më tej argumentin e vet.

Ai shprehet se, shtimi i fluksit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj, u shoqërua edhe me elementë të tjerë të zhvillimit.

“E them pa ngurrim, se, ne gjatë këtyre dy viteve kemi mësuar nga të huajt. Kemi mësuar si të përgatitemi, të sillemi dhe të veprojmë në kushtet e fluksit të shtuar dhe si të jemi të sjellshëm me klientët, të cilët prenotojnë dhe janë të gatshëm të presin, mjafton që të shijojnë një darkë apo drekë të mirë e të shijshme me prodhime deti dhe verë”, thotë Meso.

Ai shton se, në periudhën e verës, janë të detyruar të punojnë vetëm me rezervime, të cilat bëhen edhe një ditë më parë dhe klientët, në pjesën më të madhe janë turistë të huaj, nga Italia, Anglia, Franca, Spanja, Rusia, Ukraina, Bjellorusia.

Ndërkohë, për Vasil Bedinin, operatorin e suksesshëm dhe të njohur të turizmit, projekti i “Lungomares”, ishte themeli i një perspektive ndryshe për turizmin. “Network-u” i hoteleve dhe restoranteve që ai ka krijuar për të përballuar kontratat dhe marrëveshjet me agjencitë turistike, e ka bazën në këtë hapësirë të Vlorës. Këtu, ku ai ka ndërtuar një nga hotelet më të njohura në të gjithë bregdetin dhe ku ka bërë bashkë simotra të tjera hotelerike, sipas një modeli bashkëkohor kooperimi.

Në këndvështrimin e tij, “Shëtitorja”, ka ndryshuar gjithë vijën bregdetare, por ka transformuar edhe mentalitetin për të shfrytëzuar bukuritë natyrore, në funksion të zhvillimit. Dhe, turizmi, si themel i këtij zhvillimi, tashmë ka një nga modelet e veta, atë model që ka bërë bashkë qytetarë nga Vlora, Shqipëria dhe mjaft vende të tjera. Për Bedinin, sezoni turistik shtrihet shumë më tepër se muajt e verës. Nga muaji maj deri në tetor, për të është një periudhë intensive dhe turistë nga vende të ndryshme të Evropës, shijojnë bukuritë e bregdetit vlonjat. Kontratat i mbyll qysh një vit më parë dhe impenjimi i vetëm gjatë sezonit për të, është të plotësojë standardet e parashikuara në marrëveshje

“Lungomare”, si një hapësirë kompakte, përfshin në vetvete resurse dhe optimizëm, realitete dhe dëshira për të synuar standarde, të krahasueshme me ato të vendeve më të përparuara.

Në vetëm dy vite, çdo pjesë e kësaj hapësire është shndërruar në mundësi për individin dhe individët në përgjithësi. Parkingjet nëntokësore në pallatet e banimit, dikur të braktisura, sot janë funksionalë dhe gjenerues të ardhurash e kapacitete punësimi sezonale. Apartamente banimi, dikur “të vdekura” në pjesën më të madhe të vitit, tashmë janë shndërruar në kapacitete të turizmit familjar. Hapësirat e kateve të para, të brezit të dytë e të tretë, në godinat e ngritura në 10 vitet e fundit, të lëna “pas dore” deri vonë, tashmë po bëhen gradualisht pjesë efektive e rrjetit të shërbimeve.

Arben Breshani, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut të Vlorës, thotë se, në këndvështrimin ekonomik projekti i “Lungomares”, ridimensionoi parametrat e tregut të ndërtimeve, duke vënë në eficensë investime “të stacionuara” në vite. Me përfundimin e projektit, jo vetëm u riaktivizua ky treg, me një intensitet në rritje, por në skemën e tij, janë përfshirë aktorë nga vende të tjera. Krahas Italianëve, shqiptarëve nga Kosova, apo nga Maqedonia e Veriut, qytetarë nga Norvegjia, nga Gjermania, nga Polonia, Turqia, nga Rusia, Ukraina, por edhe nga vende të tjera, kanë blerë apartamente banimi në këtë pjesë të bregdetit. Në këtë mënyrë, tregu i turizmit në Vlorë ka fituar klientë të garantuar që frekuentojnë qytetin një pjesë të vitit, por edhe mundësi për shtim të fluksit nga vendet respektive, si rrjedhojë e efektit zinxhir.

Ky sezon veror në Vlorë po përjeton një dinamikë në rritje. Turistët e huaj, vijojnë të shtohen në vjimësi, ndërkohë që gjeografia e vendeve nga ata vijnë po pasurohet me emra të rinj.

Për herë të parë në Vlorë kanë mbërritur turistë nga Venezuela, ndërkohë që ka shtim të atyre nga Sllovenia e Kroacia. Dhe për ta, Vlora është e bukur, sepse, siç shprehej një çift bashkëshortësh nga Sllovenia, “ka një bregdet tërheqës, plazhe të bukura, ushqim të mirë e të shëndetshëm dhe krahas tyre edhe një hapësirë atraktive rrëzëllitëse, veçanërisht në orët e mbrëmjes, siç është “Lungomare”, ku funksionojnë lokale të mrekullueshme”.

“Lungomare ka krijuar një raport të ri mes qytetit dhe turizmit, mes mundësive dhe perspektivës gjithnjë e më të prekshme”, thotë Breshani.