Nga Alfred Peza

Opozita shqiptare, e kompleksuar nga mënyra sesi mazhoranca e Kryeministrit Edi Rama po e menaxhon situatën pas tërmetit të tmerrshëm të 26 Nëntorit në qarqet Durrës, Lezhë e Tiranë, po bëhet gati ti rikthehet asaj që di të bëjë më mire; Të nisë “luftën e baltës”. Shkaku i qënësishëm sipas zërave të opozitës zyrtare dhe atyre që janë rrotull tyre, nuk është i njëjtë. Nuk është i përcaktuar qartë. Sepse është e kuptueshme. Ai nuk ekziston.

Ndaj meren vetëm me shefin e qeverisë. Përse del kaq shumë në televizor? Po në rrjetet sociale? Përse komunikon me dhjetra e qindra qytetarë, nga mëngjesi deri në mesnatë? Pse bën batuta? Pse vishet kuqezi? E një pafundësi “pse”-shë të tjera…

Duke vrapuar si gjëmojnë prapa “kokrrës së ullirit” që kreu i mazhorancës nuk ia kursen asnjëherë tua hedhë, askush nuk po meret seriozisht në këtë garë të radhës për gjetje sebepesh, me “barrën e vajit”. Të meret seriozisht me mënyrën sesi po menaxhohen në gjithë perimetrin e territorit të prekur, të trija fazat e gjendjes së jashtëzakonshme. Me mënyrën sesi 150 grupet e punës në terren, po përgatisin pa u ndalur 24 orë në 24, rindërtimin dhe rikthimin e normalitetit përgjatë 2020 në jetën e të gjithë të dëmtuarve.

Shaku i gjithë kësaj qasje është fare e thjeshtë të shpjegohet. Ka të bëjë me realitetin që tregojnë sondazhet e këtyre ditëve. Ato nxjerrin si kurrë më parë në avantazh dhe në maksimumin e perceptimit pozitiv nga ana e publikut, Edi Ramën dhe mazhorancën e tij. Këtë të vërtetë e dinë edhe liderët kryesorë të opozitës dhe mediave në vend. Madje në disa indikatorë të veçantë, shifrat janë aq pozitive, sa habisin shumëkënd.

Të kompleksuar nga ky realitet, rrjedhojë edhe e një solidariteti të pazakontë, bën që “opozita dhe njerëzit përreth Lulzim Bashës të fillojnë e të japin, shenjat e një lufte balte”. Me sa duket, janë të tmerruar nga avantazhi që krijon menaxhimi i duhur i situatës, ndaj po bëhen gati që ta vendosin sërisht partinë, mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë.

Duket se nuk mund ta pranojnë dot këtë realitet me çlirim energjish pozitive, që buron nga humanizmi njerëzor, e veçanërisht ai shqiptar. Është ai momenti kur kemi ditur që të bëhemi të gjithë bashkë, kudo që jetojmë e punojmë, në momente të rralla të historisë si ky.

Është provuar gjatë luftës së Kosovës më 1999, e po riafirmohet i njëjtë, edhe tani. Është ai moment i rrallë i humanizmit kolektiv përballë ekzistencës e mbijetesës, që ka gjeneruar solidaritetin e pakufi. Por, edhe ndihmat, vullnetarizmin, përkrahjen, mbështetjen dhe klimën e gjerë të mirëkuptimit.

Kjo po shqetëson me sa duket, luftënxitësit e përjetshëm. Ata që dalin gjithmonë jashtë loje, nga klima e relaksuar politike mes palëve dhe aktorëve kryesorë të jetës në vend. Janë të gjithë ata që ushqehen dhe mbijetojnë vetëm nga dhuna. Nga tensioni. Nga krizat. Nga acarimi. Nga mungesa e stabilitetit. Nga ekstremizmi. Nga lufta.

Duan ta rikthejnë opozitën, edhe tani në kohë situate të jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, në llogoren e tyre më të preferuar. Tek “lufta e baltës”. Tek ajo luftë që e nxorri opozitën jashtë sistemit politik. Jashtë sistemit parlamentar. Jashtë sistemit demokratik të vendit. Duan ta rikthejnë tek ajo kulturë e të bërit opozitë, që e la atë jashtë garës elektorale. Jashtë përfaqësimit në pushtetin qëndror. Jashtë përfaqësimit në pushtetin lokal.

Për ta pak rëndësi ka nëse e gjitha kjo, është një kulturë opozitare humbëse. Ato vetë kanë vlerë vetëm e vetëm kur gjallon opozitarimi i “babaleve”. I djegies së mandateve. I revolucioneve imagjinare. I bojkotimit të proceseve elektorale.

Ndaj, po bëjnë gjithçka për tu rikthyer me çdo çmim, nën prozhektorët e skenës. Sepse për luftënxitësit, ka paqe, vetëm në luftë. Ndaj nuk po lenë gjë pa bërë, që tia arrijnë, sa më parë. Për ta nuk ka vlerë as përmasa e tragjedisë së jetuar. Për ta ekziton veç thënia e Shekspirit, në njërën prej tragjedive të shkruara: “Intrigë veç rri më këmbë, pa mer çfarë rruge të duash!