Dosja hetimore në ngarkim të Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të lartë të PD-së do t’i nënshtrohet një verifikimi të hollësishëm nga Prokuroria e Tiranës.

Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë se nën verifikim do të jetë procedura e ndjekur nga dy prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, që e kanë mbyllur dosjen pa miratimin e kolegut të tyre Kol Hysenaj.

Të tre prokurorët kanë qenë pjesë e grupit hetimor të ngritur me urdhër të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Ymeraj.

Zyrtarë të Prokurorisë, të kontaktuar thanë se dosja nuk mund të dërgohej për në Gjykatë pa firmën dhe dijeninë e prokurorit të tretë të çështjes.

Prokurori Kol Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve dhe ka kërkuar shtyrjen e tyre, deri në marrjen në pyetje të shtetasit amerikan, Nik Muzin, i cili ka marrë 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pa dëshminë e Muzin, i konsideruar si person kyç në këtë çështje, hetimi është konsideruar i paplotë nga prokurori Hysenaj.

Nik Muzin pritet të merret në pyetje në Shtetet e Bashkuara për llogari të hetimit.

Autoritetet amerikane u kanë kërkuar prokurorëve shqiptarë që të bëjnë të qartë nëse statusi i Muzin është si dëshmitar, apo objekt i mundshëm i hetimit, dhe nëse ai ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë, sipas ligjit shqiptar.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj, deklaroi një ditë më parë se prokurorët Tako e Karanxha kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetëshpallen prokurorë të çështjes, duke përjashtuar prokurorin Hysenaj.

Ajo tha se dosja nuk është dërguar ende në Gjykatë dhe madje nuk është qepur ende.

Dosja gjendet në zyrën e protokollit të Prokurorisë së Tiranës, me kërkesën e Takos e Karanxhës për ta dërguar në Gjykatë.

Ymeraj ka sqaruar se për arsye shëndetësore nuk ka qenë në punë, por pritet që me kthimin e saj në zyrë të hënën, të nisë edhe verifikimi i veprimeve të dy prokurorëve Tako e Karanxha.

Këta të fundit e dërguan Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin në gjykatë nën akuzën për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe rrëzuan akuzën për pastrim parash.

Fati i dosjes mbetet i paqartë, pasi nuk dihet nëse Prokuroria e Tiranës mund ta bllokojë atë nëse do të konstatojë shkelje, apo do ta dërgojë në gjykatë dhe do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse dy prokurorët kanë shkelur procedurën dhe nëse dosja ka nevojë për veprime të tjera hetimore.

“Dy nga tre prokurorët e dosjes Basha, do ju duhet të arsyetojnë në mënyrë të shkruar se çfarë rrethanash ndikuan në ndryshimin e qëndrimit nga ana e tyre, duke qenë së është e njëjta gjendje e akteve që nga moment që e kanë marrë z. Basha në cilësinë e të pandehurit në qërshor të vitit 2019”, shprehet Elisabeta Imeraj.

Karanxha dhe Tako, do të duhet të shpjegojnë edhe bazën ligjore të mosnjoftimit të kolegut të tyre Hysenajt.

“Së dyti, dy nga tre prokurorët duhet të shpjegojnë se me çfarë baze ligjore kanë mënjanuar nga dosja prokurorin e tretë, duke mos i bërë me dije veprimet që po kryheshin dhe pse duhej bërë kjo, pa ndërmarrë asnjë veprim procedurial”, ka thënë Imeraj.

Tashmë, çështja është në dorë e vet Elisabeta Imerajt për zgjidhjen e situatës.

“Së treti, drejtuesi i Prokurorisë ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë me anë të udhëzimeve për zgjidhjen e situatës dhe verifikimin e vlefshmërisë së veprimeve të prokurorëve Karanxha dhe Tako”, shton Imeraj.