Gara për Prokuror të Përgjithshëm duket se është drejt fundit dhe së shpejti pas dy viteve me drejtues të përkohshëm, do të kemi kreun e ri të akuzës me mandat 7-vjeçar.

E hëna është afati i fundit që KLP do të presë nëse ndonjë nga kandidatët do të ankimojë renditjen e bërë nga anëtarët e KLP-së dhe më pas, të martën, lista i dërgohet Parlamentit, dhe ky i fundit duhet të zgjedhje një nga tre kandidatët me 84 vota.

Por burime të RTV Ora bëjnë me dije se asnjë nga dy kandidatet, drejtuesja e përkoshme Arta Marku e renditur e dyta dhe prokurorja Fatjona Memçaj e renditur e treta, nuk do të ushtrojnë këtë të drejtë duke lënë në fuqi renditjen e KLP-së.

Kjo edhe për faktin se KLP u ka vënë në dispozicion vetëm renditjen dhe numrin e pikëve, pa e detajuar se në cilin nga kriteret ata janë ndarë më njëri-tjetrin, dhe ku kanë qenë më në avantazh që do të përbënte një objekt për tu ankimuar.

Lista me pikët për secilin kandidat u shpall të enjten një ditë pas intervistimit të kandidatëve, ndërsa në garë ishin tre prokurorë të së njëjtës moshë dhe madje nga e njëjta klasë në magjistraturë; Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Ata paraqiten platformën e tyre para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa ajo që i ndau nga njëri-tjetrin ishte pikërisht qasja që ata kishin për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme si dhe eksperiencat e mëparshme në drejtim.

Gjithsesi pavarësisht renditjes, Kuvendi do të jetë ai që do të vendosë, se cilin do të përzgjedhë nga të tre megjithëse thirrja e kreut të KLP-së ishte që të pranonin vendimin e tyre.