“Sot teksa shohim që bashkitë kanë filluar të marrin rrugën për të plotësuar dëshirat më të mira të qytetarëve, shohim se gjithë mozaiku i përmirësimit të institucioneve dhe shërbimeve që marrin qytetarët po zë vend”, tha deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati gjatë seancës së sotme parlamentare lidhur me Dekretin e Presidentit që ktheu për rishqyrtim ligjin për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Bushati tha se “në formatin e ri jo vetëm të Qarkut po të të gjitha bashkive të cilat me kryebashkiak të Partisë Socialiste kanë mundësinë dhe sfidën për t’i dhënë më të mirën qytetarëve të tyre. Këta qytetarë të cilët për shumë kohë kanë qene pjesë e një ishulli të privatizuar të atyre që kanë drejtuar për shumë vite si rasti i Kamzës apo Vorë, me mandate të tejzgjatura dhe drejtues që nuk përgjigjeshin më për nevojat e tyre”.

“Shpresojmë që këto ndryshime që do kalojmë sot ti hapin rrugë sa më shumë kontrollit të territorit, të rrisin kompetencat e bashkive të reja që të mbrojnë interesin publik pa cenuar dhe interesin privat. Për të harmonizuar gjitha këto interesa dhe për t’i dhënë më të mirën qytetarëve duhej që dhe ky ligj të përafrohej sa më shumë me ndryshimet e mëdha që kemi marr që me reformën territorial”, theksoi Bushati.

Deputeti Bushati përfundoi duke thënë se, “duhet ta kalojmë këtë ligj sot më gjithë votat dhe të opozitës sepse është në interes të qytetarëve dhe të funksionimit sa më të mirë të kontrollit mbi territorin”.