Një nënkalim midis hekurudhës dhe aksit nacional Librazhd-Peshkopi, i ndërtuar rreth viteve ‘60 shumë i ngushtë dhe i ulët ishte tashmë jashtë funksionit pasi përmes tij mund të kalonin vetëm mjete të vogla. Ndërhyrja në këtë pjesë ishte e dosmosdoshme për kalimin e të gjitha llojëve të mjeteve në këtë aks nacional, i cili shërben gjithashtu edhe për lidhjen e shumë fshatrave të Bashkisë së Librazhdit.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla së bashku me Drejtorin e ARRSH Afrim Qendro, Drejtorin e Përgjithshëm të Hekurudhave Ani Dyrmishi dhe Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra inspektuan punimet në këtë kantier.

“Jemi këtu për të ndjekur nga afër punimet që bëjnë të mundur kalimin e çdo lloj automjeti në nënkalimin me hekurudhën i cili pengonte prej 40 vitesh lëvizjen e automjeteve të tonazhit të rëndë.

Prej vitesh ky investim ishte i domosdoshëm dhe më në fund u mundësua nga ARRSH. Më në fund, kjo rrugë e cila lidh një zonë malore do të jetë funsionale” theksoi Balla.

Për Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit kjo ndërhyrje ndihmon lëvizjen, çliron trafikun dhe eviton kalimin e mjeteve të rënda në qendër të qytetit:

“Kjo përveç se është unazë e qytetit të Librazhdit është njëkohësisht pjesë e aksit kombëtar Librazhd-Ura e Cerenecit. Për fat të keq, nuk ka funksionuar si aks dhe makinat detyroheshin të kalonin mes për mes qytetit duke dëmtuar infrastrukturën në qytet.”

Drejtori i ARRSH Afrim Qendro njoftoi edhe disa projekte të tjera madhore të cilat prekin Qarkun e Elbasanit siç është edhe By Pass i Elbasanit i cili do të çlirojë trafikun dhe shkurtojë kohë:

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe me Fondin Italian të Investimeve jemi duke bërë gati, kemi hartuar termat e references, për dy projekte shumë të rëndësishme që janë për Qarkun e Elbasanit, që janë By Pass i Elbasanit i cili me përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, shmang trafikun nga qyteti, dhe projekti tjetër Elbasan-Qukës, me idenë që kur nisesh nga Tirana, i gjithë aksi të jetë në parametra dhe formën që duhet.”

Drejtori i Hekurudhave nga ana tjetër njoftoi edhe për vënien në funksion të linjës hekurudhore Durrës-Pogradec duke vijuar më tej drejt Maqedonisë:

“Ky investim i ARRSH ndikon edhe në përmirësimin e rrjetit hekurudhor Durrës-Pogradec i cili aktualisht është jashtë funksionit, por me ndërtimin e këtij nënkalimi kjo linjë do të bëhet funksionale. Po ashtu përmirësimi i koridorit 10 që do bëjë të mundur lidhjen me Maqedoninë. Gjatë këtij viti mbarojmë fazën e studimit për pjesën Durrës-Rrogozhinë dhe vitin tjetër përfundon edhe studimi për pjesën tjetër Rrogozhinë-Lin-Maqedoni.”

Për herë të parë pas shumë vitesh të gjitha kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve po nënshkruhen në kohë duke bërë të mundur që këtë vit planifikimet dhe marrja e masave të nisin në kohë për të evituar problemet me rrugët kur dimri të trokasë. Problemtikat e hasura vitet e kaluara me bllokim rrugësh, tashmë do të minimizohen.