Gjatë muajit që sapo u mbyll, leku u forcua me 0.8% në krahasim me majin, sipas të dhënave të kursit mesatar mujor të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ndërhyrja e jashtëzakonshme e Bankës së Shqipërisë që filloi më 6 qershor duket se thjeshtë ngadalësoi ritmin.

Nga Gjergj Erebara

Leku shqiptar pësoi një forcim të ri gjatë muajit qershor, pavarësisht ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Të dhënat e BSH të publikuara në faqen e saj të internetit të premten, tregojnë se kursi mesatar i këmbimit të euros me lekun ishte 125.95 lekë për euro, afro 0.8% më pak se sa në maj, kur mesatarja mujore ishte 126.98 lekë për euro. Në krahasim me qershorin 2017, leku është forcuar me 5.4% kundrejt euros.

Leku është forcuar gradualisht që nga dhjetori 2015 kur euro kushtonte 140 lekë, por ritmi i forcimit u përshpejtua ndjeshëm gjatë muajve mars, prill dhe maj të këtij viti.

E shqetësuar për pasojat negative në ekonomi që mund të ketë forcimi i shpejtë i lekut, Banka e Shqipërisë shpalli ndërhyrje të jashtëzakonshme më 6 qershor, kur leku mbërriti në kuotën më të ulët shumëvjeçare prej 124.2 lekësh për euro. Gjithsesi, pas një zhvlerësimi afatshkurtër pas shpalljes së ndërhyrjes, leku u stabilizua fillimisht rreth kuotës 126 lekë dhe më pas pësoi një forcim e lehtë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë sqaroi disa ditë pas ndërhyrjes se objektivi i BSH ishte “të ndalonte forcimin e mëtejshëm” dhe të “ndryshonte pritshmëritë”. Leku u forcua me 1.5% në prill dhe 1.8% në maj.

Përmasat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në treg nuk bëhen të ditura ndërsa kapja e 3.4 milionë eurove të krimit javën e kaluar në portin e Durrësit duket se përforcoi argumentin se paratë e përfituara nga trafiku i drogës janë faktori kryesor pas forcimit të lekut gjatë viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë pranon se forcimi i lekut gjatë muajve të fundit është i pazakontë, por argumenton se ky forcim ka ardhur si pasojë e “krijimit të pritshmërive” për lek më të fortë në treg.