Nga Alfred Peza

E hëna e parë e shtatorit, bashkë me nisjen e sezonit të ri parlamentar, mund të konsiderohet edhe si dita e parë e fillimit të vitit të ri politik. E për të gjithë ata që janë të interesuar për çështjet e zhvillimeve politike dhe historiko-shoqërore në Shqipërinë e muajve e viteve në vijim, Leksioni Nr. 1 mund të përmblidhet në këto pika kryesore:

Së pari, as mos prisni, as mos shpresoni dhe as mos predikoni që opozita jonë e rrugës të rikthehet në sistem, përpara 13 tetorit. Për një arësye fare të thjeshtë: Pavarësisht se nuk e njeh dekretin e Ilir Metës për gjoja zgjedhjet e përgjithshme lokale në këtë ditë, PD do vazhdojë tia mbajë formalisht ison LSI-së. PD ia ka dhe ja njeh borxhin e këtyre muajve, bashkëshortes së Presidentit dhe partisë së tij. Aq sa të paktën, të bëjë sikur janë bashkë në rrugë, edhe për nja 5-6 javë të tjera.

Së dyti, mos prisni që opozita e rrugës të rikthehet në sistemim politik e demokratik të vendit, as deri më 18 tetor. Sepse e çuan që e çuan deri në fund aktin e tyre të paprecedentë të djegies së mandateve të deputetëve dhe mosfutjes në zgjedhjet e 30 Qershorit, lidershipi i saj, do të presi deri atëherë që të vjelë edhe frutet e pemës që po vadisin. E fruti më i madh që ata presin të vjelin atë ditë, është refuzimi që mund ti bëhet Shqipërisë për dhënien e një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, sëbashku me Maqedoninë e Veriut.

Së treti, mos prisni që opozita e rrugës të rikthehet në sistemin politik të vendit, pa u marë vendimi nga Gjykata e re Kushtetuese, për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. PS që në ditën e parë të sezonit të ri parlamentar, u tregua e qartë dhe e vendosur, për ti shkuar deri në fund hetimit dhe shkarkimit të tij, për shkelje të rënda kushtetuese.

Së katërti, mos prisni që opozita e rrugës të rikthehet në sistem, pa u ngritur SPAK-u. Për fatin e saj të keq, ambasada e SHBA konfirmoi që kjo strukturë e posaçme e luftës antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar, do të jetë funksionale shumë më shpejt se se shpresuar katërshja e lidershipit të “Opozitës së Bashkuar” të cilët gjitha deri mës sot, e kanë bërë vetëm për ta penguar atë.

Së pesti, mos prisni që opozita e rrugës të rikthehet në sistem, pa u konsoliduar demokracia direkte që ka hedhur rrënjë e pritet të hedhë gjithmonë e më shumë shtat në Shqipëri. Meqenëse “Opozita e Bashkuar” e tradhëtoi vullnetin e opozitarve që e kishin votuar për ti përfaqësuar në Parlament dhe në pushtetin lokal, atëherë ka nisur komunikimi i drejtpërdrejtë i qeverisë, mazhorancës, pushtetit qëndror dhe atij administrativ, me gjithë qytetarët e vendit pa ndërmjetës mes tyre.

Së gjashti, mos prisni që lidershipi i opozitës së rrugës të rikthehet në sistem, për aq kohë sa nuk do e ndjejnë në lëkurë, “pickimin” e realiteteve të reja opozitare që do mbushin boshllëkun e krijuar përkohësisht. Kur opozita e re parlamentare do të shndërrohet nesër edhe në opozitë reale politike dhe do të zerë vendin që i takon në tryezën e dialogut dhe të reformës së re elektorale, atëherë Berisha, Basha, Meta e Kryemadhi do të fillojnë të luten për ta gjetur sërisht hapur atë portë që sot po e gjuajnë jo vetëm me gurë, por edhe me bomba molotov. Por, atëherë do të jetë thjeshtë shumë vonë.

Së shtati, mos prisni që lidershipi i opozitës të rikthehet në sistem nëse pas pushimeve verore, nuk do ti shohin me sy selitë, oborret dhe zyrat e tyre gjithnjë e më me pak njerëz. Sheshet e rrugët e mitingjeve, gjithnjë e më me pak mbështetës e përkrahës. Derisa të ndjejnë nën lëkurë, frikën reale se me këto ritme, një ditë pakkush do ti dëgjojë e do ti ndjekë pas.

Mazhoranca qeverisë e di shumë mirë këtë. Ndaj e ka shumë të qartë, sfidën që ka përpara; Me veten, përballë gjithë qytetarëve të këtij vendi. Një sfidë që nuk ka të bëjë asfare me të djeshmen e opozitës së rrugës. Por me të nesërmen e Shqipërisë. Me koshiencën, qetësinë, urtësinë, përulësinë e vendosmërinë e një force politike që ka përpara, sfida edhe më të mëdha se ato që sapo kaloi.