“Askush nuk vdes vërtet, nëse jeton në zemrën e tyre që lë pas”. Një thënie e vjetër. Në Brazil do ta zbulojnë kur tifozët të fillojnë të mbushin stadiumin “Rostov Arena” për ndeshjen e parë të Botërorit të Rusisë.

Për herë të parë pas kushedi sa vitesh, Seleçao do të zbresë në fushë me 11 vetë, sepse gjithmonë ka luajtur me 12. Legjendari Klovis nuk është më. Nuk do të jenë më mustaqet e tij, që gjithmonë kanë përkëdhelur trofeun e madh në gjithë stadiumet e botës. Imazhi i fundit i tifozit brazilian, që futbolli e njihte si “Gaucho de Copa”, do të mbetet ai i “Mineirazo”-s, me përqafimin e trofeut që e kishte aq afër dhe aq larg.

Por këtu qëndron e bukura e futbollit. Klovis Fernandes ndërroi jetë në vitin 2015, pas një lufte të fortë me kancerin, por ai do të jetë në Rostov. Ai ka lënë një pjesë të tij në këtë botë, si nga pikëpamja metaforike, ashtu edhe ajo reale. Për të çuar Kupën e Botës në Rusi, madje me mustaqe të gjata, kanë menduar Frank dhe Gostavo, djemtë e legjendës braziliane.

Ata vazhdojnë traditën e familjes Fernandes, pasi nuk duan ta lënë asnjëherë vetëm Seleçaon. Kështu, me trofeun në duar dhe me mustaqe të rregulluara mirë, ata janë nisur drejt Rusisë.

Në 7 Botërorë radhazi, Klovis u shndërrua në një të shtëpisë për tifozët brazilianë. Prania e tij në shkallët e stadiumit, me kapelen e famshme, në të mirë dhe në të keq, ka përfaqësia “termometrin” e një kombi të tërë.