Një emblemë e Interit si Alesandro Maxola, nuk duket shumë optimist për zgjedhjen e Antonio Contes në krye të zikaltërve.

Pas humbjes ndaj Juventusit ditën e djeshme në “derbin e Italisë”, ish-sulmuesi që gjithë jetën ia ka kushtuar Interit, flet në mikrofonët e “Un Giorno da Pecora”, në “Rai Radio”, ku ndër të tjera shprehet se Conte i duket ende me gjak juventini, dhe kjo është diçka që nuk e ndryshon dot.

Conte? Bëmë mirë që e morëm nga Juventusi, por ai nuk më bind. Kur ai flet, më duket ende si juventin, më shumë se si një pjesëtar i ekipit tonë. Ashtu siç lind si interist, lind edhe juventin. Është e vështirë të ndryshosh. Conte vazhdon të jetë një bardhezi përbrenda. Për këtë nuk bëjmë dot gjë, është diçka e tij personale. Ai do dëshironte të fliste si një juventin, por më pas kujtohet që është tek Interi dhe flet si interist. Edhe në rastin e ndonjë protestimi. Te Juve, mjaftonte të ngrinte dorën dhe të shikonte arbitrin, dhe kishte penallti në favor të tij. Por këtu tek Interi, nuk ndodh kështu”, deklaroi Maxola.