Nga Ledi Shamku

Morsh molet!

Zor se gjen një bashkësi që nam/nëm më shpesh se tironsit. E kanë nga një “të nomme” për çdo folje që ka shqipja.

Edhe gjyshja ime hynte denjësisht në këtë kompetencë (s’po i quaj mallkime se të tilla s’ishin. Përjetoheshin më fort si lojra fjalësh [scioglilingua] ekspresive).

Sa herë që trazoja a luaja nga vendi diçka që s’duhej luajtur se dëmtohej, më vinte pas qafe:

– Pse e lujte mi që ti lujtsh e morsh molet!

Siç e kuptoni, këtu ndrronin dorën si në një valle dy kuptimet e “luaj”: luaj vendit (lëviz) dhe luaj mendsh (çmendem).

Dhe në mendjen time fëminore u ngulit e mbeti një radhë veprimesh shkak-pasojë që po e formuloj si më poshtë:

1.Kush luan diçka me qëllim damtor pastaj 2. Luan mendsh dhe kush luan mendsh, më pas 3. Merr malet.

Ja, kjo radhë më erdh në mend sot kur mësova se dikush paska “morë molet”.