Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektuan punimet që po kryhen në disa zona të Elbasanit, qytet e fshat.

Ata u ndalën në investimin që po bëhet për disiplinimin e ujërave të rrëmbyer të përroit të Larit, në Mengël. Në fjalën e tij Balla tha se duke qenë se ky përrua kalon në mes të zonës së banuar, jo rrallë herë ai ka shkaktuar përmbytje.

“Gjithë pjesa poshtë aksit Elbasan-Labinot ka vuajtur nga përmbytjet për shkak të ujërave që shkaktohen nga përrenjtë të cilët derdhen në Shkumbin. Kjo lagje e Menglit e ka vuajtur më së shumti këtë problem pasi 2-3 herë në vit përmbytej nga ky përrua që kalon në mes të lagjes. Përmbytjet kanë shkaktuar edhe problematika në mirëfunksionimin e ujësjellësit të qytetit.

Ky është një investim i menjëhershëm i bashkisë dhe jemi këtu së bashku me Gledin për të parë këtë punë intensive që Bashkia Elbasan ka filluar me kryetarin e ri. Ka qenë një prej shqetësimeve që e kemi ngritur gjithmonë, por që nën drejtimin e Gledit po merr një zgjidhje të menjëhershme” deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku Llatja tha se investimi konsiston në krijimin e një kanali të betonuar përgjatë gjithë zonës së banuar deri në derdhjen e tij në Shkumbin, si dhe pritave mbrojtëse. “Punët me cilësi janë qëllimi jonë, fokusi ynë kryesor dhe prandaj po dalim t’i inspektojmë të gjitha personalisht, sigurisht me inxhinierët dhe specialistët e bashkisë. Jemi të gjithë në terren për të monitoruar punët publike që po bëhen, për të monitoruar të gjithë investimet që po bën Bashkia e Elbasanit dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Me këtë investim zgjidhim edhe një problem shumëvjeçar me përmbytjen në sistemin e pompave të ujësjellësit të qytetit” u shpreh Llatja.