Nga Mero Baze/

Ndërsa fati I mëtejshëm I Ilir Metës si president tani e tutje do të jetë në dorë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi Komisioni i Venecias ka provuar se ka shkelur Kushtetutën, çështja e legjitmitetitt të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit është një çështje që është mbyllur nga Komisioni i Venecias, duke çertfikuar legjitmitetin jurdik të tyre, çka është një nga 9 kushtet e Bundestangut.

Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias, gjithë arsyetimin për shkeljet kushtetuese të Presidentit, tejkalimin e kopetencave të tij dhe bojkotin e opozitës, e mbështet vetëm mbi faktin se zgjedhjet e 30 Qershorit ishin legjitime, dhe se ato nuk mund të shtyheshin për arsyet që paraqiti Presidenti dhe opozita. Biles opinioni i Venecias, e konsideron sukses faktin që përpjekja e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, si një përpjekje për të ndërprerë rendin kushtetues të vendit, dështoi.

Komisioni I Venecias, e ka parë 30 Qershorin në të gjitha aspektet.

E ka parë si një datë zgjedhjesh kushtetuese, që nuk mund të shtyhej, pasi prishte kontratën civile të partive në garë me aktorë të tjerë, e ka parë datë besimi të qytetarëve shqiptarë për të votuar, e ka parë si një kufi legjitimiteti pushteti për të zgjedhurit në detyrë dhe mbi të gjitha, përpjekjen për shtyrje e ka parë si përpjekje për të bllokuar rendin kushtetues në vend.

Të gjitha arsyetimet e opinionit të Komisionit të Venecias, mbështeten mbi legjitimitetin e 30 Qershorit.

Kështu që tanimë nga 9 kushtet e Bundestangut, ajo e verfikimit të legjitimitetit juridik të 30 Qershorit, për të cilën është gëzuar më shumë opozita, praktikisht ka rënë, pasi është vërtetuar nga një prej institucioneve më prestigjioze evropiane për të drejtën kushtetuese, tek e cila duhet të referohet dhe Gjykata jonë kushtetuese.

Duke marrë fund debati mbi legjtimitetin e 30 Qershroit, nga ana tjetër duhet të bjerë edhe konsiderimi prej opozitës I këtyre zgjedhjeve si të papranueshme dhe kërkesat për përsëritjen e tyre. Ashtu sic e ka thënë qartë opinioni i Venecias, bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Zgjedhjet e 30 Qershorit kësisoj nuk mund të jenë më, as objekt bisedash në tryeza partiake dhe as ofertë për kompesim politik për opozitën.

Ato duhet të mbeten ashtu siç u zhvilluan, një betejë mes atyre që deshën të ndalnin rendin kushtetues përmes bojkotit dhe atyre që donin të mbronin atë, duke u kthyer kështu në një precedent historik për Shqipërinë, ku për fat të mirë, ka fituar rendi kushtetues.

Ky shembull do të shërbej në një periudhë afatgjatë e ndoshta të përjetëshme në Shqipëri, që askush më, të mos guxoj të përdor bojkotin si shantazh politik dhe si kërcënim për rendin kushtetues. Do të na shpëtoj mes të tjerash nga oferta për pazar për Lulzim Bashën një herë në dy vjetë.

Ata që tentuan bojkotin, sot janë jashtë sistemit dhe nuk mund të rikthehen në sistem duke zhbërë humbjen e tyre më të madhe zgjedhjet e 30 Qershorit, por duke pranuar çmimin e hidhur të bojkotit dhe duke e nisur nga zero.

Opinioni i Komisionit të Venecias për 30 Qershorin është historik, dhe është një rishkruajtje me gërma të mëdha i ndëshkimit, që duhet të marrin të gjithë ata, që pafuqinë politike duan ta zëvendësojnë me minim të sistemit dhe dhunim të rendit kushtetues.

Komisioni i Venecias kur ka deklaruar shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti, e ka bërë duke gjykuar për legjitimitetin e 30 Qershorit. Dhe këta e ka bërë duke qenë qartazi, haptazi dhe me shumë vendosmëri në anën e 30 Qershorit. Kjo është një humbje më e rënd për opozitën, se sa humbja e Ilir Metës si President. Se në fund të fundit Ilir Metën aty nëpër këmbë do ta kenë, por 30 Qershorin e kanë humbur përgjithmonë, jo vetëm si shans politik, por dhe si shantazh elektoral. Ky është dhe lajmi më I keq për opozitën nga Komisioni I Venecias. Dhe këtë e kanë bërë me duartë e tyre.