Presidenti Ilir Meta ka pranuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur vakancën në Kushtetuese, pas shkarkimit të gjyqtarit Besnik Muçi, duke njohur kështu vendimin e vettingut.

Gjykata Kushtetuese hoqi nga faqja zyrtare Besnik Muçin dhe njoftoi Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar.

Muçi u shpreh sot në mëngjes se nuk e njeh vendimin dhe u paraqit në zyrë me një kërkesë drejtuar Kushtetueses që të shqyrtojë dhe vendosë fatin e tij me argumentin se vendimi i vettingut është në kundërshtim me ligjin.

Muçi theksoi se do të vijojë që të qëndrojë në detyrë deri kur të japë vendimin gjykata Kushtetuese, e cila pa kaluar pak orë e fshiu nga faqja zyrtare duke ia dhënë përgjigjen. Presidenti Meta mesditën e sotme e priti në një takim dhe i kërkoi Muçit që të rishikonte vendimin. Gjykata Kushtetuese pasi e zhduku nga lista e anëtarëve në faqen zyrtare njoftoi kreun e shtetit për vakancën e krijuar.