Ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Postës Shqiptare u nënshkrua sot Memorandumi i Bashkëpunimit për prodhimin dhe shpërndarjen e kartës së studentit edhe për studentët që studiojnë nëpër rrethe. Sipas Ministres Shahini, ky është një hap shumë pozitiv dhe një premtim i mbajtur pasi tashmë karta e studentit do të shpërndahet edhe në universitetet e tjera jashtë Tiranës.

“Në Tiranë kemi funksionuar shumë mirë falë bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, e cila e krijoi procesin e prodhimit të kartës për të gjithë studentët që janë në Tiranë. Dhe tani, kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Postën Shqiptare, që ta bëjmë të njëjtën gjë në të gjitha universitetet e tjera që janë jashtë Tiranës”, shtoi ajo. Në këtë kuadër, Znj. Shahini theksoi ndër të tjera se do t’i jepet zgjidhje edhe një çështjeje tjetër që është hasur vjet gjatë shpërndarjes së bursave për studentët pasi një pjesë e tyre nuk kishin llogari bankare ku MASR mund të hidhte bursën e tyre.

“Tani me Postën Shqiptare, do të mund të bëjmë edhe një zgjidhje për këtë problematikë. Kështu që, jemi shumë të lumtur që sot nënshkruam marrëveshjen”, u shpreh Ministrja Shahini dhe nënvizoi: “Duke filluar nga tetori, në momentin e parë që studentët do të fillojnë mësimin në universitetet e tyre respektive, ne do të jemi atje në të gjitha universitetet jashtë Tiranës për të shpërndarë kartën e studentit”.

Në krahun tjetër, Administratori i Postës Shqiptare Z. Laert Duraj, duke falënderuar MASR për besimin e dhënë ndaj Postës Shqiptare, shprehu garancinë se institucioni që ai drejton do të jetë në gjithë lartësinë e duhur për të siguruar mbarëvajtjen e shpërndarjes së kartave të studentëve nëpër rrethe, ndërsa shtoi: “Tani jemi në fazën e parë. Për momentin do të jetë një kartë identifikuese, e cila do t’u ofrojë të gjithë lehtësirat që entet publike ofrojnë për studentët. Më vonë, edhe në varësi të marrëveshjeve që Posta Shqiptare do të lidhë, do të ofrohen procedura me lehtësime edhe më të mëdha. Procesi do të nisë fillimisht nëpër rrethe, por më vonë ky lloj lehtësimi do t’u ofrohet të gjithë studentëve të Shqipërisë”.