Nga Romina Kuko – Zv.Ministre e Punëve të Brendshme/

Në 3 Maj 2004, kur raundi i ri i zgjerimit të BE me dhjetë anëtarë të rinj sapo kishte hyrë në fuqi, gjatë leksionit të Proceseve Evropiane, teksa pedagogia e lëndës, një franceze e quajtur Agnes shpjegonte argumentat se përse Kushtetuta Evropiane ishte një ndërmarrje pothuajse e pamundur dikush nga auditori i thorë “prof, urime për 10 anëtarët e rinj të unionit. Tani Kushtetuta do të jetë më e pamundur për t’u arritur”. Kjo shkaktoi ilaritet në sallë e ndonëse Agnes mposhti impulsin gal për të reaguar aty për aty, në fytyrë i dallohej një pezm.

Përfitova nga rasti për ta pyetur. “Prof, kur do të jetë raundi tjetër i zgjerimit? Apo u mbyll rubineti?” . “Për 10 vjet” tha, vetëm atëhere do të mundet BE të jetë gati për një absorbim të ri, por mbase atëhere nuk do të jetë en bloc si këtë herë. Mu duk si përgjigje tekanjoze e saj. Dhjetë vjet më dukeshin shumë!

Dhe vërtet, pas grindjeve të Europës së shpejtësisë së parë (anëtarëve të vjetër dhe tradicionale) me Europën e shpejtësisë së dytë (hidraulikun polak, emigrantin rumun dhe bullgarët e pamerituar), pas krizës së migracionit si pasojë e pranverës së acartë Arabe, pas kolapsit ekonomik të Greqisë, menaxhimit të asaj krize e cila për herë të pari e bëri të besueshme idenë se një anëtar mund të largohet nga eurozona dhe pas krismës së referendimit të BREXIT e cila shokoi gjithë sistemin, Evropa, pas pothuaj dymbëdhjetë vitesh i ktheu sërish sytë nga Ballkani.

Në këtë rikthim të dytë, ndër të tjera, debati ishte nëse për vendet e Ballkanit Perendimor do të ndiqej teza “demokratizohu pastaj integrohu” apo “integrohu teksa demokratizohesh me ndihmën time”.

Hapja e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi tregoi se ishte ndërmarrë teza e dytë. Asnjë kusht politik si shkelm në fyt ndaj vendeve, as reformë në drejtësi, as detyrim për njohjen e Kosovës – por detyrim për bisedime me Kosovën, kusht mjaftueshëm evaziv për t’ia hedhur për një copë herë – asnjë bllokadë duke patur shkak krimin e organizuar të këtyre vendeve në BE, ndonëse nëse futemi në statistika ato na thonë se shifrat ishin më të larta jo me përqindje, por me herë, krahasuar me Shqipërinë.

Paralelisht, një impuls i ri u dha edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë .

Ndonëse sërish në tezën e dytë që përmenda më sipër, BE vështirësoi lojën. Shqipëria u përfshi në një proces të pa hasur më parë në ndonjë vend tjetër, një reformë radikale në drejtësi e cila kërkoi guxim politik. Historinë e kushteve pas kushteve (3 ligjeve etj) më pas e dimë të gjithë. Maqedonia kaloi gjithashtu një proces të dhimbshëm duke tejkaluar diçka e cila është e ngulitur thellë në psikën e çdo individi, votuesi apo politikani, qytetari të madh e të vogël, identitetin. Duke marrë parasysh klimën politike refraktare në të dy këto vende, reformat e ndërmarra patën gjithësesi një konsensus të gjerë sepse qëllimi final i realizimit të tyre ishte një premtim në anën tjetër të Perëndimit.

Në Prill të vitit 2018, Komisioni Evropian- i cili është edhe autoriteti më i besueshëm kur vjen puna për të vlerësuar progresin e vendeve në proces, është laboratori ku përpunohet dhe distilohet gjithë informacioni – rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë pa kushte. Paralelisht me këtë proces, një demarsh nisi, në fakt kohë më parë nga qeveria në të gjitha nivelet për të adresuar shqetësimet e disa shteteve, çështje të cilat u adresuan në mënyrë dinjitoze me rezultate konkrete. Nuk do të zgjerohem këtu për to. Por t’i përmendësh sërish e sërish alibi  për bllokimin e negociatave është njësoj si një rast kur një gazetar që shoqëronte një zyrtar të lartë, bashkë me disa gazetarë të tjerë, kishte vetëm 1 orë që kishte mbërritur në Tiranë teksa artikulli i tij i cili rrotullohej pakashumë rreth “Sa keq qenka kjo Shqipëria” kishte 45 minuta që ishte botuar në një gazetë të madhe në hapësirën evropiane! Një montim!

Për të mos folur për montimet që niseshin nga Tirana nëpër kancelari e parlamente për të mbjellë panik dhe për të dëmtuar procesin. Nuk do ta harroj kurrë kur një parlamentar i këtyre vendeve telefonon nga një bashkëkombas të tij dhe i shqetësuar   e pyet “ është e vërtetë që Shqipëria është në prag të një lufte civile? X na tha kështu e kështu sot!”

Kujt i duhen armiqtë e jashtëm kur ke shqiptarë të tillë!

Pesëmbëdhjetë vjet kanë kaluar nga Maji i 2004 dhe duket sikur dje, më 18 Tetor 2019 pas dështimit brenda gjashtëmbëdhjetë muajsh, për herë të tretë në marrjen e një vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë edhe Maqedonisë tashmë të Veriut, presidenti i Francës u duk se lexoi nekrologjinë e zgjerimit të BE.

Reagimet i kemi parë të gjithë, pamë zhgënjimin e Departamentit të Shtetit dhe nëpër të një premtim të tij se mund të mbështetemi gjithmonë tek Amerika jonë, patjetër. Pamë personalitete të Komisionit Evropian të hedhin mënjanë psikodiplomacinë dhe ta thonë haptas zhgënjimin e tyre duke akuzuar presidentin francez, pamë komisionerët  të cilët bashkëpunuan ngushtësisht dhe me përkushtim të thonë sërish e sërish se Shqipëria “ishte gati”. Në vend, reagimet varionin nga folklori i rëndë, tifozlleku Gjermani-Francë deri në butaforinë pellazgo-ilire mbi planet konspirative për të mbajtur kokëulur racën tonë superiore. Në mënyrë qesharake pamë gjithashtu thjeshtëzimin politik shkakut të këtij rezultati duke drejtuar gishtin nga fajtori, a thua se ato pamjet e Shqipërisë që digjet në Euronews i shkaktoi një legjion alienësh mercenarë. Ato pamje janë pikërisht pamjet që një votues francez apo holandez ka parë duke rritur kështu shumëfish presionin ndaj qeverive të tyre për të mos pranuar “vende të tilla”.

Sidoqoftë, përtej politikës së ditës dhe tërësisht brenda realpolitikës çështja që duhet të na shqetësojë është një. Për momentin perspektiva e zgjerimit të BE është në pikën më të ulët. Shqipëria do të vazhdojë të reformojë veten, në rradhë të parë për veten e vet, por nuk duhet mohuar se Europa nuk ka shërbyer për ne si një busull por si një ëndërr. E kemi lidhur europën me nocionin e lirisë. E kemi romantizuar Europën dhe e kemi parë si një Arkadi, si qytetin ideal të Platonit. Për brezin tonë, atë që u rrit brenda dinamikës së këtyre proceseve, që është e pakuptueshme mungesa e kësaj perspektive, qoftë edhe për një kohë të caktuar.

Është njëfarë douleur excquise – e cila është fjala e papërkthyeshme frënge e cila përshkruan ndjenjën zemërthyese të zhgënjimit të të mos të paturit atë që do, ndonëse mundohesh shumë. Megjithatë nuk është koha për mpirje, përkundrazi! Siç dhe Robert Frost tha:

The woods are lovely, dark and deep,
But I have promises to keep,
And miles to go before I sleep,
And miles to go before I sleep

Pylli është i errët, i bukur, i thellë
Por unë kam premtime për të mbajtur
Dhe kilometra për të bërë përpara se të fle
Dhe kilometra për të bërë përpara se të ndalem ..