Stefano Pioli do të debutojë në stolin e Milanit fundjavën e ardhshme, në sfidën që luhet në “San Siro” ndaj Lecces.

Trajneri i ri i kuqezinjve po njihet me ekipin çdo ditë e më shumë dhe ideja është krijuar, për sa i përket formacionit të mundshëm në sfidën e fundjavës.

Lojtarë si Rodriguez, Calhanoglu, ndoshta dhe Kessie duket se do të abonohen me stolin. Në mediat italiane thuhet se Pioli ka ide krejtësisht të ndryshme nga Giampaolo për ekipin. Emra si Paqueta apo Bennacer, të cilët për Giampaolon nuk shiheshin si titullar, me Piolin duket se do të jenë të padiskutueshëm.

Duket se Pioli po “plotëson” edhe dëshirat e tifozëve, pasi lojtarë si Calhanoglu apo Rodriguez janë kritikuar shumë. Të vetmet dilema në kokën e trajnerit emilian janë moduli se si do të luajë dhe krahu i djathtë i mbrojtjes, ku Calabria po humbet terren ndaj Contit.

Modulet që mund të luajë Pioli janë 4-2-3-1 ose 4-3-3. I pari preferohet më shumë nga tekniku, ku do të luajë në portë i zakonshmi Donnarumma. Më pas mbrojtja me Theo Hernandez, Romagnoli, Musachio si dhe Calabria, por siç e thamë nuk përjashtohet edhe Conti.

Gjithsesi, në ndeshjen ndaj Lecces është e sigurt që do të luajë ky i fundit, pasi Calabria është i pezulluar, për shkak të kartonit të kuq ndaj Genoas. Përpara mbrojtjes do të jetë dyshja Bennacer-Biglia, me këtë të fundit që është një ndër të preferuarit e Piolit.

Treshja në mbështetje të sulmuesit do të përbëhet nga Suso-Paqueta-Rebic, me kroatin që gjithashtu pritet të ketë më shumë besim dhe minuta me ardhjen e trajnerit të ri.

Nëse luhet me këtë skemë, dueli në sulm do të jetë i fortë, me Piatek dhe Leao që luftojnë për vend titullari. Polaku duket më i avantazhuar, por portugezi është në formë mjaft të mirë.

Nëse Pioli vendos të luajë me 4-3-3, mbrojtja dhe porta janë e njëjtë. Ndryshimet vijnë në mesfushë, ku së bashku me Bennacer e Biglia, bashkohet Paqueta. Në sulm Rebic ulet në stol dhe vendin e tij në krah e merr Leao, me Suso dhe Piatek që plotësojnë repartin e avancuar./Telesport/