Nga Mero Baze

Franca ia ka kërkuar Bashkimit Evropianë, që brenda vitit të reformojë qasjen e vet ndaj vendeve që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, duke ngadalësuar ritmin e antarësimeve dhe duke I dhënë të drejtë Bashkimit Evropian, të pezulloj apo anulojë këto procese, kur nuk ka arritje konkrete të standarteve.

Javën që vjen Franca pritet ta paraqes propozimin e saj në Këshillin Evropian, duke I vënë kështu kushte Komisionit Evropian, që të hartojë një strategji të re për procesin e zgjerimit, para se të merret një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë, shqyrtimi I të cilave sipas Francës duhet shtyrë për vitin që vjen.

Me pak fjalë ndryshe nga Gjermania I cili e vuri kushte Shqipërisë, me qëllim hapjen e negociatave, Franca po I vë kushte Bashkimit Evropian për të penguar hyrjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë, si pjesë e një strategjie të re politike të Presidentit Macron për një Evropë me disa shpejtësi.

Vendimi I Francës, i jep fund shpresave të Shqipërisë dhe Maqedonisë për të çelur negociatat, dhe meqë u bë ngjarje e sigurt, mund të pasohet dhe nga Holanda e Danimarka, por që sic thotë një fjalë e urtë shqiptare “I mbyturi, nga e lagura nuk ka qeder”.

Për hire të së vërtetës, Shqipëria gjendet në një krizë politike dhe hapja e negociatave mund të refuzohej dhe për shkak të saj, edhe sikur të kishim plotësuar gjithë kushtet e reformës në drejtësi. Por fakti që Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij janë dakord që Shqipëria të hap negociatat e bën dhe më fyes qëndrimin antievropian të Francës. E bën fyes, pasi e bën joserioze politikën e zgjerimit, të ngjashme me gurin e Sizifit që rikthehet në vend pas çdo përpjekje për tu ngjitur.

Do të ishte më serioze që Shqipëria të penalizohej për shkak të krizës politike, se sa të penalizohet për një tek antievropiane të Francës, pasi kështu humbet kuptimi I të motivuarit për të realizuar kushtet, pasi askush nuk na siguron, se kur të jemi gati, një tjetër vend evropian ka një ide tjetër për Evropën.

Akoma më dramatike bëhet kjo gjë në rastin e Maqedonisë, një shtet të cilin e detyruan të ndërroj emrin e vet, emra rrugësh e aeroportesh, të heq e të vërë buste e statuja, të ndryshoj tekste skollash e libra historie dhe në fund ta pësoj nga një qëndirm antievropian e Francës. Kjo e rrezikon seriozisht Maqedoninë tashmë dhe si shtet.

Në Maqedoni rreziku është që forcat antievropiane që realisht me Gruevskin ishin parti e parë në zgjedhjet e fundit, të ringrihen dhe në një krizë të mundëshme të Maqedonisë të zerojnë gjithë proceset e deritanishme dhe me të drejt të shpallin tradhëtare një klasë të tërë politike që i besoi Evropës.

Futja e Bashkimit Evropian në spiralen e kushteve të Francës kundër BE për zgjerimin, mund ta shtyj pa fund këtë proces dhe do ta kthej nga shpresë dhe objektiv, në një rutinë për të cilën në të ardhmen mund të tregohen më shumë anektoda, se sa bilance konkrete.

Për Shqipërinë, orientimi drejt Evropës është jetikë, pasi është orientim drejt një sistemi politik demokratik, është orientim kundër nacionalizimit dhe autokracive, është shpresë për një ekonomi më të qëndrueshme dhe konkurese dhe jetë më të mirë. Për fat Shqipëria është ende vendi me orientimin më të fort properëndimor dhe nuk duhet ta humbas atë. Ajo duhet të mbaj kokën nga Perëndimi edhe sikur ato dyer të mos hapen kurrë. Orientimi nga Perëndimi ka qenë në themel të lindjes së shtetit shqiptar qysh nga shkëputja prej Perandorisë Osmane dhe ky orientim e mban gjallë shpresën dhe pa qenë pjesë e Evropës. E ka mbajt gjallë këtë shpresë edhe nën një regjim stalinist. Beteja pro perëndimit dhe kundër otomanizmit, ka qenë motori lëvizës I Shqipërisë në gjithë historinë e saj.

Por kriza e Evropës dhe kushtëzimet që po lindin brenda saj, kundër politikave të zgjerimit, do të bëjnë dëm përtej Shqipërisë e Maqedonisë. Ato do ta bëjnë relative besimin tek Bashkimi Evropian dhe do inkurajojnë forca të reja antiperëndimore të bëhen “zot të vendit”. Dhe e ne e dimë kush është gati ta bëj këtë në Ballkan. Islami politik, populistët neomarksistë dhe idhtarët e Putinit, janë gati gjithandej. Dhe kam frikë se kur Franca të mendoj se ja doli të mposhtë Evropën kundër zgjerimit, do ti duhet të mposhtë një Ballkan tjetër që do të jetë I ndarë për Evropën. Dhe ky është I vetmi dëm që mund të prodhojnë kushtet franceze për Bashkimin Evropian, kundër Shqipërisë e Maqedonisë.