Nga Mero Baze

Bundestagu gjerman i dha miratimin e tij Qeverisë Federale, që të miratojë vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është vendimi që i nevojitet Qeverisë gjermane prej Bundestagut, lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Më poshtë Bundestagu ka vendosur një sërë kushtesh që duhet të realizohen gjatë procesit të negociatave, të cilat detyrojnë Qeverinë gjermane që t’i ndjekë në raport me hapat e mëtejshëm të Shqipërisë.

Ajo që Qeveria gjermane çon në Bruksel nga vendimi i Bundestagut, është miratimi i hapjes së negociatave. Në këtë pike, Shqipëria ka kaluar një postobllok të fortë, dhe ndoshta më të vëmendshmin dhe më seriozin ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

Kushtet në tërësi janë procesi në vazhdim i reformës në drejtësi, ndaj të cilës ka një betejë reale kundër nga presidenti i Republikës dhe opozita, por që është një proces i pakthyeshëm, i padevijueshëm dhe i panegociueshëm, që vlen më shumë për Shqipërinë, se sa për Bundestagun, apo vendet e tjera europiane.

Nëse dhe Franca dhe Holanda japin votën pro në parim dhe theksojnë këto kushte, atëhere procesi i hapjes së negociatave të Shqipërisë për në BE, quhet i filluar dhe vazhdimi do të jetë një betejë e vazhdueshme mes mbështetësve të reformës në drejtesi dhe kundërshtarëve të saj, duke e kthyer atë në një betejë reale politike të forcave pro perëndimore dhe kundërshtarëve të frymës perëndimore në drejtësi.

Të gjitha kushtet e vendosura nga Bundestagu në fakt janë më të mira se vetë procesi i anëtarësimit, pasi ato janë çfarë kërkon çdo qytetar shqiptar.

Ngritja e SPAK, e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, fillimi i procesit të ndëshkimit të zyrtarëve të korruptuar, shprehja për legjitimitetin e 30 qershorit, janë kërkesa të çdo qytetari shqiptar, që edhe nëse nuk do ishin kushte gjatë negociatave, do të ishte objektiv politik i Qeverisë shqiptare.

E vetmja gjë që vlen politikisht nga kushtet që po na vendosen për negociatat, është se tani e tutje beteja për reformën në drejtësi është bashkuar dhe është bërë një me betejën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ashtu siç dhe kundërshtimi i ngritjes së institucioneve të reformës në drejtësi, është dhe betejë kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një farë mënyre Bundestagu, por ndoshta dhe ndonjë vend tjetër perëndimor, ka bërë objektiva të vetat, objektivat e mbështetësve të reformës në drejtësi në Shqipëri, duke e ndarë shoqërinë shqiptare në pro anëtarësimit në BE dhe kundër anëtarësimit në BE, sipas kriterit, kush është pro reformës në drejtësi, është dhe pro BE, dhe kush është kundër reformës në drejtësi, është dhe kundër anëtarësimit në BE.

Kështu që sot e tutje, këta që janë kundër reformës në drejtësi e kanë të ndaluar të qajnë, ose së paku t’i kursejnë lotët, kur flasin për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi ata janë problemi. Këto kushtet e Europës për reformën në drejtësi janë një mallkim për ta dhe gjithë forcat anti-perëndimore të Shqipërisë.