Nga Ardit Rada

Kryetari i Partisë Demokratike është shfaqur sot tepër emotiv në një konferencë për kamerat. Lulzim Basha kërkoi largimin e Edi Ramës nën shembullin e Zoran Zaev, teksa kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme. Edhe pse Partia Demokratike e reklamoi konferencën si tepër të rëndësishme, disa orë para se të ndodhte, në fakt Basha nuk surprizoi askënd me ato që tha përveç përsëritjes së vetes. Por këtu nuk është rasti t’i qajmë hallin qëndrimit të tij të sotëm.

Të premten ‘e zezë’ për shqiptarët Lulzim Basha u shfaq tepër dashamirës me negociatat. Ai madje kërkoi që vendet anëtare të Bashkimit Evropian t’i thonin “PO” Shqipërisë. Edhe pse si kofini pas të vjelit, Basha në asnjë moment nuk vendosi kushte për Ramën, por kërkoi që Këshilli i Evropës ta pranojë Shqipërinë së shumti me kushtet e Gjermanisë.

Vetëm tre ditë më pas, kreu i Partisë Demorkatike doli në konferecën ‘e jashtëzakonshme’ duke e cilësuar si të tillë, për të konfirmuar ndryshimin e tij radikal. I frymëzuar nga rasti i Zoran Zaev, Basha kërkoi largimin e Edi Ramës, qeverisë (dhe me atë rast edhe zhbërjen e zgjedhjeve nga ku i ka ngelur vetëm një gjysmë-bashkie në Shkodër).

Shqetësimi kryesor nuk është çfarë kërkon Lulzim Basha. Ai nuk është Krijuesi që dritë tha, dhe dritë u bë! Qëndrimet e tilla nuk tregojnë zhdërvjelltësi politike, por ngrenë dyshime mbi një dorë të zezë apo të bardhë që vepron pas tij.

Nuk është rasti të argumentojmë se sa i drejtë mund të jetë pretendimi i Bashës për zgjedhje të parakohshme. Por të kuptojmë sesi ai po përdor përgjigjen e Këshillit të Evropës për t’i dhënë një argument më tepër vetes. Pra Basha po kërkon të përdorë “JO”-në e Francës për t’i kërkuar Ramës dorëheqjen. I gjithë ky ndryshim në qëndrimin e tij, brenda 36 orëve, ngre pikëpyetje të mëdha për seriozitetin si lider dhe për mënyrën sesi i merr vendimet.

Fundja ishte Sali Berisha ai që u bë bashkë me Francën duke e falënderuar Macronin që ia çorri maskën qeverisë. Ngazëllimin e tij e reflektoi sot Basha, hipokriti i së premtes që nga frika e ndonjë surprize nxitoi ta nxirrte PD në kontribuuesen kryesore nëse hapeshin negociatat.

Sot, teksa Shqipëria renditet me 20 e kusur shtete të tjera në krah, që kërkonin hapjen e negociatave, kemi Lulzim Bashën që dreqi e merr vesh se ç’ka në mendje. Si atëherë kur u niste për të rrëzuar shtetin dhe i merrte mendtë miletit duke i bërë thirrje që t’i rrotulloheshin Kryeministrisë. Sigurisht që ç’sjell sahati, nuk sjell moti. Por nuk duhet pritur sahati i Lulzim Bashës për të kuptuar kush e mëson. Larg qoftë rusët, për të cilët akuzohet në SHBA.

Por nejse, kjo është histori tjetër!

javanews.al