Zëvendëskryeministri, Erion Braçe i bëri thirrje tregtarëve të imputeve bujqësore, për reflektimin e TVSH në çmime pasi do monitorohen dhe ndëshkohen.

Braçe shprehet se disa fermerë në Fier nuk po lënë produkt të shkoje dëm. “Domatja e parë 600 lekë, domatja e dyte 400-500 lekë, kastraveci 600 lekë, kungulli 600 lekë, speci i kuq 1100 lekë, speci jeshil 700 lekë; të gjitha për eksport”, shprehet Braçe.

“Kush do punën, punon, madje ndihmon dhe këdo tjetër që punon e prodhon. Kush do të vjedh, vë ultimatume! Respektoj çdo bujk, ja di mundin e sakrificën. Por ai që po behet personazh nëpër televizione nuk është bujk, ka tokë në Ballagat, por kurrë nuk e punoi. Ai është kontabilist, ka një zyrë ku bëhen fatura dhe bilance. Po e vërtetë është, klientë të zyrës së tij janë grumbullues që mbajnë të lidhur bujq prodhues. Ky zotëria dhe grumbulluesit e tij kanë qenë mirë, e kishin kuptuar, ngritur dhe i morën çdo qindarkë deri miliona skemës së TVSH. Ju e dini, unë isha kundër skemës se re të TVSH, por ca si ky-faturaxhinj, e ca si klientët e tij, ishin arsyeja, argumenti i atyre që ndryshuan skemën; për të ndalur abuzimin marramendës që mori miliona euro nga buxheti për grumbulluesit e zero lekë për bujqit e thjeshtë!”, shton ai.

Po ashtu, Braçe shton se “eksporti, as që varet nga skema e TVSH! Çmimet po rriten se ndryshoi tregu jashtë, tregjet jashtë. Klima e bëri të vetën, ketë vit në dëm të një kategorie bujqish, prej dy vitesh ishte në favor te tyre. Ajo që do bëjmë edhe me konkretisht tani, është konsulenca për bujqit për ciklet e prodhimit, referuar ndryshimeve klimatike”.

“Ndërkohë, tregtarëve të imputeve bujqësore besoj se ju duhet një paralajmërim i fundit; Reflektoni TVSH në çmime, ua hoqëm për bujqit dhe ata duhet ta përfitojnë; kush nga ju abuzon, mos mërzitet nga vizita e fiskut! Mos abuzoni me cilësinë, po mbledhim nga bujqit dëshmi mbi cilësinë dhe efektin e plehrave e pesticideve tuaja; Një listë është gati, aty do na keni!”, thekson Braçe.