Nga Carlo Bollino

Nuk më pëlqen të citoj atë që kam shkruar unë vetë. Dhe, nëse e bëj këtë herë, kjo është vetëm pasi alarmi, që lëshova sakësisht një vit më parë, më në fund u dëgjua. Është vonë, shumë vonë, por ka shpresë që, gjithsesi, mund të bëhet diçka për të goditur fenomenin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët, në pritje të vetingut, dhe duke e ditur që nuk kanë asnjë shpresë për ta kapërcyer, “kapin ç’të kapin”.

Në duart e tyre drejtësia është transformuar në një masakër, që prodhon, nga njera anë, korrupsion dhe, nga ana tjetër, viktima të pafajshme. Kryeministri Edi Rama e ka përcaktuar sot në Kuvend “KÇK”-në si grupin më të rrezikshëm kriminal që ekziston dhe ka lajmëruar një ligj special. Në artikullin tim të 12 tetorit 2018 propozova që për të gjitha vendimet e marra sot nga gjyqtarët, të cilët nuk do të kalojnë nesër vetingun, të mundësohet rivendosja në afat për të apeluar. Në të kundërt, dëmi kriminal, i bërë këto muaj nga ajo pjesë e kalbur e drejtësisë, do të mbetet përgjithnjë. Rishikimi i afateve për apelim në këto raste të posaçme mund të jetë një ndër elementët që do të përmbajë ligji speci.

***

Shkrimi i publikuar më 12 nëntor 2018

Masakra e drejtësisë së gjykatësve që presin Vettingun…

Tejzgjatja në kohë e Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët rrezikon ta transformojë periudhën e cila na ndan nga përfundimi i kësaj procedure të ndërlikuar, në epokën më të errët që ka përjetuar ndonjëherë Drejtësia shqiptare.

Ndërkohë që tanimë është e qartë se Komisioni për Vettingun po kalon në sitë pasuritë personale dhe familjare dhe po pret koka pa mëshirë, po aq evident është për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar fakti që, kur t’u vijë atyre radha, nuk do të shpëtojnë dot. Kjo periudhë pritjeje, e cila sigurisht do të zgjatë shumë muaj dhe, ndoshta, disa vjet, po i kthen sallat e gjyqeve në një “no man’s land”, një tokë të askujt, ku ligjet dhe rregullat tani nëpërkëmben haptazi, pikërisht nga ana e atyre gjyqtarëve, të cilët janë të ndërgjegjshëm se nuk do të kenë një të ardhme profesionale. Iluzioni i pandëshkueshmërisë, i cili deri tani kishte sugjeruar pak kujdes në shitjen dhe blerjen e vendimeve, aktualisht është kthyer në sigurinë e dëbimit nga magjistratura dhe kjo i shtyn këta të korruptuar, të padënuar deri tani, për të vjedhur deri sa të munden dhe sa më shumë që të munden. Është mbushja, tipike dhe e dëshpëruar, e xhepave të atyre, që e dinë mirë se nuk kanë të ardhme, por që vazhdojnë të kenë fuqi të plota.

Ky fenomen është një pasojë anësore, e paparashikuar nga ideuesit e reformës, të cilët duhej të kishin menduar për periudhën e Vettingut kundërmasa të përshtatshme për t’i vënë fre’ grykësisë së më të korruptuarve. Por çfarë duhet bërë tani, që kjo gosti e turpshme është në kulmin e saj në tryezat e Drejtësisë?

Një propozim që hodha pak muaj më parë, bëhet sërish shumë aktual: të rihapen afatet e ankimit në Apel për të gjitha vendimet e marra nga gjyqtarët e dënuar prej Vettingut. Në rast se është veprim i duhur që të gjykohen për herë të dytë çështjet e gjykuara shumë vjet më parë nga gjyqtarë të cilët kanë rezultuar me probleme në kontrollet e Komisionit të Verifikimit, t’i bësh edhe një herë proceset, për të cilat është marrë vendim gjatë këtyre muajve të anarkisë, kur Vettingu është në zhvillim e sipër, bëhet diçka e domosdoshme.

Një rrugë e dytë është ajo që, për çdo vendim negativ të Vettingut (ose për çdo rast kur një gjyqtar vendos të tërhiqet vullnetarisht), të nisë automatikisht një procedim disiplinor dhe një hetim nga ana e Prokurorisë: duke ditur se një vendim i shitur sot rrezikon të të çojë në burg nesër, ky mund të jetë ndoshta një kërcënim i mjaftueshëm për ta penguar këtë korrupsion që po zgjerohet. Në të kundërt, duke ditur se rrezikon të të përjashtojnë nga magjistratura për krimet e kryera, por nuk do të ketë asnjë hetim tjetër, kjo mund të çojë vetëm në nxitje për të vjedhur edhe më shumë, për të mbushur sa më shumë xhepat, për të mbijetuar sa më mirë në vitet kur pritet të mbetesh pa punë.

Një hipotezë e tretë, ekstreme, por sigurisht efikase, do të ishte të vendosej një moratorium për vendimet, të paktën në proceset civile: kjo do të thotë të bllokoheshin proceset në gjykim e sipër, të bllokoheshin paditë e reja dhe të rifillonte gjithshka pasi të mbaronte Vettingu. Shqipëria po mbijeton pa Gjykatë Kushtetuese që prej shumë muajsh, pikërisht si pasojë e reformës: një çmim ky, që duhet paguar përballë emergjencës së Drejtësisë. Të mbetesh edhe pa drejtësi civile për dy vjet, në fund të fundit mund të rezultojë si një kompromis i drejtë mes durimit në pritje të një vendimi të ndershëm dhe rrezikut që të shqyhesh nga ujqit.

Më mirë një Drejtësi e vonuar, sesa një Drejtësi e rreme.