Alfred Peza

Kurrë nuk kishte ndodhur përgjatë këtyre 30 viteve, që Presidenti i Republikës së Shqipërisë që sipas Kushtetutës përfaqësohen edhe unitetin e popullit, ti shpallë luftë të hapur dy aleatëve tanë më të mëdhenj: SHBA dhe BE!

Nga sot Ilir Meta nuk është më në konflikt publik, në lidhje me reformën në drejtësi as me PS, as me mazhorancën e saj qeveritare, as me Kryeministrin Edi Rama e as me mazhorancën parlamentare që votoi me 105 vota pro, emërimit të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Ilir Meta pas kësaj, është përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Dy fuqive të mëdha të cilat jo vetëm kanë investuar gjithçka përgjatë këtyre viteve të fundit për ta shembur sistemin e kalbur të drejtësisë sonë të vjetër, e për të ngritur nga themelet institucionet e një drejtësie të re që iu shkëput nga kthetrat, elitës së vjetër politike të opozitës aktuale të Shqipërisë.

Si të mos mjaftonte fakti se Presidenti i Republikës kishte hyrë më herët në konflit me përfaqësuesit më të lartë të ambasadës së SHBA në Tiranë, që të anashkalohej gjatë vizitave në Shqipëri të zyrtarëve të lartë nga Uashingtoni për zhvillimet politike rreth situatës politike të 2019 dhe zgjedhjeve të 30 Qershorit, tani kemi një përballje pa kushte. Pa diplomaci. Pa doreza. Pa ekuivoke. SHBA dhe BE I jana përgjigjigjur flakë për flakë Ilir Metës në lidhje me qëndrimin e tij ndaj procesit të votimit nga ana e Parlamentit, të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutese.

Ilir Meta duke qenë në konflikt të hapur interesi me këtë institucion që pritet të votojë shkarkimin e tij si President I Republikës, ka bërë çmos që ta minoje, bllokojë dhe ta fusi në qorrsokak këtë proces jetik për gjithë reformën në drejtësi. Ai bëri gjithçka për të shpikur artifice proceduriale ekstra ligjore deri në momentin e fundit kur I shkruajti edhe deputetëve të Kuvendit. Por edhe pasi ata e votuan, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Ilir Meta nxitoi të paralajmëronte se do ta vijojë këtë sjellje kur të rikthehet në Tiranë në orët në vijim.

E gjithë kjo çmenduri është ndërprerë nga ndërhyrja e menjëhershme e SHBA dhe BE, të cilët më shumë sesa një deklaratë, duke dalë menjëherë kundër të gjitha qëndrimeve dhe veprimeve të Presidentit të Republikës, shpallën publikisht një akt lufte me Ilir Metën.

“Votimi i sotëm, çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, tha ambasada amerikane. Ndërsa Delegacioni i BE-së deklaroi se e mirëpret këtë vendim dhe pret krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. “Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”!

Këto deklarata dhe qëndrime të qarta e pa ekuivoke të SHBA dhe BE nuk ishin vetëm kundër Ilir Metës. Ato ishin edhe kundër lidershipit të opozitës së rrugës në Shqipëri, të cilët vrapuan që të gjithë këtë proces të monitoruar në vijimësi dhe të përshendetur në fund orej tyre, ta cilësonin banalisht si një përpjekje të Edi Ramës, për të kapur drejtësinë e re.

Kaq mjafton për të kuptuar se kush është jo vetëm kundër reformës në drejtësi në Shqipëri, por edhe kundër proceseve të integrimit europian të vendit, aq ngushtësisht të lidhura me këtë kryereformë historike për të ardhmen e vendit.

Tani që gjërat janë të qarta dhe të bëra publike në dritë të diellit, kuptohet se lufta që SHBA dhe BE sapo shpallën, nuk është kundër institucionit të Presidencës. Por, është personalisht kundër Ilir Metës. Nuk është kundër opozitës shqiptare, por kundër Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që zgjodhën që ti shkonin deri në fund të keqes, duke u rreshtuar hapur e botërisht, në anën e gabuar të historisë.

Pas 30 vjetësh nga rrëzimi i Murit të Berlinit, historia ka treguar se askush deri më sot nuk e ka fituar dot në Shqipëri, luftën me SHBA dhe BE. Për një arësye fare thjeshtë. Sepse ajo as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk ka për të qenë kurrë as lufta e shqiptarëve dhe aq më pak, një luftë në emër të tyre. Ajo është thjeshtë një luftë personale për pushtet, ose për të fituar imunitet, nga mëkatet gjatë ushtrimit të tij.