Nga Alfred Peza/

 

Ngritja e Strukturës së Posaçme të Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), është tashmë një realitet dhe pritet vetëm që të zyrtarizohet dhe formalizohet, gjatë kësaj jave në Tiranë.

Në datën 18 dhjetor, do të zhvillohet intervista më tri kandidatët për kreun e kësaj strukture të rëndësishme për sistemin e ri të drejtësisë. Seanca dëgjimore me Altin Dumanin, Arben Krajën dhe Edvin Kondilin, do të jenë publike. Kjo do ti japi mundës edhe qytetarëve, që të njihen live me platformën dhe vizionin e tyre, për drejtimin e mundshëm të SPAK.

Kjo procedurë është e njëjtë me atë që u ndoq, edhe në rastin e tri kandidaturave, për Prokuror të Përgjithshëm të Përhershëm të Republikës. Siç dihet tashmë, dhjetë ditë më parë Parlamenti zgjodhi me 101 vota pro në këtë detyrë, për një mandat 7 vjeçar, Olsian Çelën.

Në datën 19 dhjetor, tetë prokurorët e parë të emëruar në Prokurorinë e Posaçme, do të zhvillojnë ceremoninë e betimit dhe të marrjes zyrtare të detyrës, në Presidencë. Pas kësaj, SPAK-u konsiderohet edhe zyrtarisht, një institucion i ngritur.

Në datën 20 dhjetor, nuk do të ketë më as Prokurori dhe as Gjykatë të Krimeve të Rënda, të të dyja niveleve. Sepse të enjten që sapo lamë pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i dha fund zyrtarisht ekzistencës së tyre. Rreth 170 dosjet më të bujshme, që ishin në dorë të prokurorëve të krimeve të rënda, tashmë i kanë kaluar atyre të SPAK-ut.

Ngritjes së këtij institucioni i është trembur më së shumti, pas miratimit të reformës në drejtësi, elita e korruptuar politike e këtyre 30 viteve në Shqipëri dhe krerët e krimit të organizuar. Të gjithë jemi dëshmitarë të një viti politik, kur u përdor çdo mjet dhe u pagua çdo çmim, vetë e vetë që reforma në drejtësi të bllokohej e më pas të zhbëhej.

Me mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA dhe BE, Prokuroria e Posaçme është tashmë një realitet në Shqipëri. Ajo pritet që të shkaktojë një tërmet të vërtetë, në kupolën e të paprekshmëve të derisotëm, që ia kishin dalë të instalonin kulturën e mosndëshkueshmërisë së krimeve dhe korrupsionit të tyre, në nivelet më të larta.

Këto zhvillime të shumpritura për shumkënd në këtë vend, duket sikur po kalojnë në heshtje dhe janë errësuar, nga përmasat e tragjedisë së tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit në qarqet e Durrësit, Lezhës e Tiranës.

E sigurtë është se tërmeti i SPAK-ut, jo vetëm që ka nisur të ndihet, por ai po përjetohet me një panik të padëgjuar nga mëkatarët. Sepse tashmë e kanë të qartë se pasojat e tërmetit që do të sjellë në jetën e tyre gjatë 2020 Prokuroria e Posaçme, do të jenë rrënimtare.

E si mund ta perceptojmë ne këtë, që sot?

Përgjigja është fare e thjeshtë. Meqë jemi në një periudhë thëniesh nga librat e shenjtë, këtij momenti, duket se i shkon shprehja e famshme biblike: Ti gjykatës do të jesh i drejtë, kur ti fushësh frikën fajtorit!

E përderisa fajtorët kanë filluar që të kenë frikë, e sigurtë është se drejtësia që kemi pritur të gjithë, po vjen!