Nëse ka diçka që shqiptari di ta bëjë më mirë se kushdo është të flasë, premtojë dhe të bëjë demagogji! Askush nuk ia merr në këtë aspekt, në çdo vend të botës. Të punosh, të realizosh planin, në kohën e komunizmit, ishte thjesht “detyrë” dhe detyrim, ndërsa sot nuk është as mundësi, por është kthyer në utopi!

Futbolli shqiptar vazhdon të fluturojë me krahët e Europianit 2016, por ka harruar se tashmë qëndron vetëm 1 metër mbi tokën dhe se përplasja do të jetë më e fortë dhe e papritur. Shtohen kushtet, shtohet mundësia ekonomike, investimet, por futbolli shqiptar vazhdon të jetë ai i vjetri!

Vazhdon të jetë ai që ekipi i Shpresave të kthehet në “autoshkollë” për kombëtaret e tjera, ai ku lojtarë normalë ose nën normalen etiketohen si talente, por edhe ai ku premtohet revolucion që me kalimin e kohës bëhet regres!

Tifozët janë të irrituar, të zhgënjyer, të tradhtuar! Përpara tre vitesh ishte e lehtë që të bëje propagandë edhe pa tifozerinë, sepse shërbenin televizionet dhe deri qarqet politike, ndërsa sot që të gjithë kanë kthyer krahët, kërkohet tifozi! Kush tifoz? Ai që ka ushqyer me ëndrra, me iluzione?

Futbolli shqiptar është si mos më keq dhe duhet një tronditje por shumë e fortë. Këtu nuk flitet vetëm për moshat, për “djemtë e babait”, por këtu flitet për një sistem që nëse nuk ndryshon, rrezikon të precipitojë drejt një gremine të pashmangshme.

Vërtetë që ekipi Shpresa duhet të jetë oksigjen për kombëtaren e madhe, por nëse oksigjeni që vjen nga poshtë është ky që shohim, atëherë rezultatet në ekipin e madh do të jenë thuajse të ngjashme. Kapiteni Cana foli pa doreza për mediat franceze, më në fund, sepse gjatë gjithë kësaj kohe ishte fshehur për të mos prishur hatër.

Kombëtarja U-21 ka vetëm 1 pikë, atë ndaj Andorrës, të barazuar, por çështë më tragjike ka të bëjë me faktin se paralelisht Kosova po lulëzon dhe po na përplas të vërtetën e një publiciteti të fryrë “artificialisht!”…(Telesport)