Vendimi i FIFA-s për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2022 është vënë në pikëpyetje që nga viti 2010.

Pretendimet për ryshfete e korrupsion, shkelja e të drejtave të njeriut dhe i nxehti i madh kanë nxitur thirrjet që Katarit t’i merret e drejta e organizmit të Kupës së Botës 2022, transmeton Gazeta Express.

Por, a mundet FIFA ta vendosë një gjë e tillë dhe a mundet ta zgjedhë një shtet tjetër për ta organizuar këtë turne?

Është pothuajse e pamundur që FIFA t’ia marrë të drejtën e organizimit të këtij turneu Katari, pasi që turneu do të fillojë në më pak se katër vjet dhe shtëpia e futbollit botëror s’ka lënë asnjë gjurmë që do të sugjeronte se do ta bëjë një gjë të tillë.

Përkundër presionit nga disa organizata që merren me të drejtat e njeriut, nga figurat e futbollit e disa vende të tjera për t’ia marrë Katarit këtë turne, ndërtimet dhe organizimet për Kupën e Botës 2022 nuk kanë ndalur.

Planifikimet për këtë turne kanë vazhduar në mënyrë të zakonshme, përkundër lajmeve të vazhdueshme për kushtet e këqija të punës në atë vend, përfshirë këtu edhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Siç qëndrojnë gjërat tani, Katari do të jetë nikoqir i Kupës së Botës 2022.

Në shkurt të vitit 2018, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, bëri të ditur se ai nuk do ta ndryshojë vendin nikoqir të këtij turneu: “Nuk ka asnjë dyshim se Kupa e Botës 2022 do të zhvillohet në Katar. Shpresoj se do të ketë bashkëpunim për Kupën e Botës mes vendeve të atij rajoni”.

“Në fund të ditës, kjo është një Kupë e Botës për të gjithë rajonin. Gjithçka është duke shkuar siç duhet për Kupën e Botës në Katar”.

Si shtesë, nëse Katari e humb të drejtën e organizimit të këtij turneu, FIFA do ta niste një proces të tenderimit për ta gjetur një vend tjetër që mund ta organizojë turneun. FIFA ia kishte dhënë Katarit këtë turne 12 vjet para se të zhvillohej ajo dhe kjo e bën pothuajse të pamundur që ta ndërrojnë vendin nikoqir me vetëm tre vjet të mbetura.

Për më tepër, Katari i ka mohuar të gjitha akuzat e shtruara ndaj tyre.

“Komiteti Suprem i refuzon të gjitha akuzat e bëra. Ne kemi qenë duke investuar thellësisht dhe kemi qenë të hapur ndaj të gjitha hetimeve, duke dhënë informata për të gjitha ato, përfshirë hetimin zyrtar të bërë nga prokurori amerikan, Michael Garcia”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga vendi.

Si rezultat, nuk ka asnjë shenjë që Katari rrezikon ta humbë organizimin e këtij turneu.