Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko ka deklaruar se të gjitha arrestimet e protestuesve të zonës së Astirit nga ana e Policisë së Shtetit janë kryer në zbatim të Kodit Penal, pas përfshirjes si vepër penale të bllokimit të qarkullimit rrugor.

“Policia ka theksuar se ndalimet më pas shoqërimet janë kryer në zbatim të Kodit Penal, pra të ndryshimeve të reja, ku bllokimi i rrugës konsiderohet tashmë një vepër penale. Në fakt, nuk është vetëm kjo arsyeja e ndalimit, apo e shoqërimit të tyre, por janë 3 vepra: prishja e rendit dhe sigurisë publike, kundërshtimi i punonjësve të Policisë dhe bllokimi i qarkullimit rrugor. Policia ka zbatuar detyrën dhe nuk ka bërë asnjë hap ekstrem ligjor,” shprehet Kuko e ftuar në një studio televizive për këtë çështje.

E pyetur në lidhje me metodën e selektimit nga Policia të personave që duhen ndaluar gjatë një tubimi, kur mund të ketë dhjetëra protestues por në pranga bien vetëm pak prej tyre, Kuko tha se Policia bazohet në faktet e mbledhura, ose në kushtet e flagrancës.

“Ne nuk jemi në gjendje të vlerësojmë, sidomos nga pamjet filmike të menjëhershme, ose vetëm kur ka raste të flagrancës, nëse këta persona kanë kryer vepër penale, apo jo,” shpjegon ajo.

Sipas Kukos, arsyetimet mbi ligjin mund të jenë të shumta, por kjo nuk i përket aspak punës së Policisë, e cila vepron vetëm duke u bazuar mbi ligjin dhe jo mbi interpretimet e tij.

“Së pari, është tubim i paligjshëm. Së dyti, është e qartë, që, çfarëdo lloj mënyrë që përdoret për të ndaluar kalimin, dënohet me gjobë, deri në 3 vjet burg. Avokatët e kanë pjesë të tyre të punës të bëjnë interpretime ligjore,” deklaron Kuko.

Një nga shqetësimet më të mëdha në punën e Policisë me protestat, sidomos në ato politike, sipas saj, ka qenë përdorimi i fëmijëve, ndaj dhe u mendua të bëhej ashpërsimi i Kodit Penal.

“Në protestat e gjysmës së parë të vitit ne kemi qenë shumë të shqetësuar për përdorimin e fëmijëve në protesta. Nëse Policia ka vepruar në mënyrë jo të drejtë, e vlerëson Prokuroria dhe më pas është Gjykata. Ashpërsimi i Kodit Penal duhej të ish bërë me kohë, pavarësisht se të gjithë kanë të drejtën për të protestuar,” shprehet më tej Kuko.