Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic këtë të hënën tha se shpreson për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme dhe kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës pas zgjedhjeve në Kosovë më 6 tetor.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve, ne do të kemi njerëz që janë mjaft të guximshëm dhe të përgjegjshëm, mbi të gjitha ndaj qytetarëve tanë, dhe të aftë të flasim për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme. Do të jemi atje. Beogradi është i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë me Prishtinën, por që duhej të ishte një zgjidhje kompromisi. Një palë nuk mund të fitojë gjithçka dhe tjetra të humbë gjithçka.” ka thënë Brnabic gjatë një vizite në Luxembourg.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve , ajo tha se Beogradi është i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë me Prishtinën, por që ajo duhet të jetë një zgjidhje me kompromis.

“Ju nuk mund të mbështesni vetëm njërën anë që të marrë gjithçka dhe pala tjetër të humbasë gjithçka” tha ajo ndër të tjera.

“Beogradi është i përkushtuar të dialogojë me Prishtinën edhe pas provokimeve të vazhdueshme” sqaroi ajo, ndër të tjera gjatë një konference për shtyp. Kryeministrja serbe ka shtuar se dialogu ishte ndalur pasi Ksova vendosi taksat për mallrat nga Serbia qendrore dhe Bosnje Hercegovinës.

“Beogradi do të jetë i lumtur të vazhdojë dialogun në të njëjtën ditë kur Prishtina heq taksat e saj” tha ajo.

Ndërsa kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel në konferencën e përbashkët theksoi se se marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e domosdoshme..

Ai theksoi se Serbia duhet të vazhdojë me reformat në gjyqësor, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mediave.

” Vendi juaj, ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor, ka një rol kryesor në ruajtjen e stabilitetin dhe paqes në Evropë. Paqja nuk mund të merret si e mirëqenë dhe kjo është arsyeja pse marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët tuaj. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të arrihet një kompromis.” ka thënë ai.